Roli i Tom Doshit në garën e 14 majit në Shkodër: Benet Beci një menaxher i mirë, që sot i duhet qytetit
Për 14 Majin, Partia Social-Demokrate këtë herë garon me lista më vete për këshillat bashkiakë, por në qarkun e Shkodrës dhe në të gjithë vendin, do mbështesë kandidatët socialistë. Për Bashkinë e Shkodrës, Tom Doshi thotë se nuk do ta kursejë mbështetjen për Benet Becin, por pranon se është një menaxher i mirë, që sot i duhet qytetit.
“Jemi në garë vetëm për këshillat bashkiak, por PSD mbështet kandidatin e PS në Shkodër dhe të gjithë Shqipërinë. Do jemi makineri votash edhe në këto zgjedhje, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Becin e njoh personalisht, nuk është njeri politik, por menaxher i zoti. Mund të them që është më i zoti në të gjithë Shqipërinë. Ka menaxhuar Fondin e Zhvillimit në kohë të Berishës dhe Ramës. Projektet që ka paraqitur për Shkodrën janë ambicioze dhe unë kam besim.
Sot në Shkodër akoma diskutohet shtrimi i rrugëve, uji i pijshëm, kanalizimet, është shumë e rëndomtë. Për 30 vjet bashkia ka pasur mundësi që t’i bëjë këto punë. Për sa i përket marrëdhënieve me bashkinë, për mua fajtore është e djathta, sepse kryetari i bashkisë nëse do takohem me kryeministrin, baza e quante tradhtar. Kryetari aktual në detyrë nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak.
I ka përbuzur sepse përbëhet nga e majta. Ky është minus dhe duhet ndryshimi që të bashkëpunojnë bashkia me qeverinë. Unë mendoj që Benet Beci është fitues. Ne sot jemi bashkuar të gjithë faktorët. Po të marrim për bazë votat e 2021, PS, PSD dhe bashkë me votat e Gon Çelës, që është bashkuar sot me PS, ne jemi mbi 3 000 vota para. Përçarja brenda PD sot është e rëndësishme, PD e vulës është për këshillin dhe pjesa më e madhe e tyre nuk do votojnë për Bardh Spahinë”, tha Doshi për ”A2cnn”.