Roma dhe Shkupi bllokuan fluturimet me Anglinë, Shqipëria shihet si ”portë e artë”
Europa po mbyll linjat direkte me Britaninë e Madhe nga frika e mutacionit të Covid-19, por ende Shqipëria nuk ka marrë asnjë masë dhe vazhdon të lejojë fluturimet direkte nga Londra në Tiranë me masat modeste të sigurisë të prezantuara që prej muajit mars. Çdo ditë zbresin në Rinas të paktën 150 shtetas shqiptarë dhe të huaj që mbërrijnë në vendin tonë nga aeroportet e Londrës.
Për më tepër, nëse masat kufizuese të fluturimeve direkte nga Anglia në Shqipëri nuk do të pezullohen, burimet thonë për gazetën “Si” se për në ditët në vijim vihet re një rritje fluksit të rezervimeve të udhëtarëve, nisur nga fakti që Italia dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërprerë plotësisht fluturimet me këtë vend, ndërsa Greqia u kërkon 7 ditë karantinë për çdo person që hyn në vend nga Anglia.
”Dje (të dielën) dhe sot paradite (të hënën) është vënë re një fluks në rritje për bileta nga Anglia në drejtim të Tiranës për 2 javët në vazhdim. Kjo shpjegohet me kërkesën e lartë të shtetasve shqiptarë që duan të kthehen në atdhe për të kaluar festat, por edhe me shtetas të tjerë joshqiptarë që po mendojnë të përdorin Shqipërinë si vend tranzit duke qenë se Greqia, Italia dhe Maqedonia e Veriut kanë pezulluar fluturimet direkte”.