Rradhët e gjata në Greqi, Cakaj: Është rritur kapaciteti, 13 mijë aplikime për pasaporta për 7 muaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar mbi situatën e rënduar me shërbimet konsullore në Athinë dhe Selanik. Ai thotë se numri i lartë i kërkesave, së bashku me kufizimet e imponuara nga pandemia, kanë shkaktuar një ngarkesë të jashtëzakonshme për trupën konsullore. ”Me ndryshimin rrënjësor të të gjithë stafit në Athinë dhe riorganizimit të thellë të punës në Selanik, po vërejmë rezultatet e para pozitive. Ka ende shumë punë, e di: megjithatë, tani duket qartë se puna është në një drejtim të mbarë”. Përmes një postimi në facebook, ai nënvizon se pas shumëfishimit të numrit të punonjësve që merren enkas me ofrimin e shërbimeve konsullore, rritjes së masave të sigurisë e zgjatjes së orareve të punës, janë shënuar rezultate të pashembullta.

Postimi i plotë

E kuptoj se jeni mërzitur shumë nga gjendja e rënduar me shërbimet konsullore në Athinë dhe Selanik. Numri i lartë i kërkesave së bashku me kufizimet e imponuara nga pandemia kanë shkaktuar një ngarkesë të jashtëzakonshme për trupën tonë konsullore. Sidoqoftë, me ndryshimin rrënjësor të të gjithë stafit në Athinë dhe riorganizimit të thellë të punës në Selanik, tani po vërejmë rezultatet e para pozitive. Ka ende shumë punë, e di: megjithatë, tani duket qartë se puna është në drejtimin e duhur. Pas shumëfishimit të numrit të punonjësve që merren enkas me ofrimin e shërbimeve konsullore, rritjes së masave të sigurisë dhe stërzgjatjes së orareve të punës, kemi shënuar rezultate të pashembullta.

Nga data 1 janar deri më 26 korrik 2020 janë bërë 13.178 aplikime për pasaporta nga Ambasada në Athinë. Pra, duke llogaritur vetëm numrin e ditëve që ka qenë e mundur të punohet gjatë kësaj periudhe, janë bërë mesatarisht 126 aplikime për pasaporta për çdo ditë. Për të njejtën periudhë, Konsullata e Përgjithshme në Selanik ka kryer 12.445 aplikime për pasaporta. Pra, duke llogaritur vetëm numrin e ditëve që ka qenë e mundur të punohet gjatë kësaj periudhe, janë bërë mesatarisht 113 aplikime për pasaporta për çdo ditë.

Ndërkohë, vetëm nga data 27 korrik deri më 28 gusht 2020, Ambasada jonë në Athinë ka kryer 9100 aplikime për pasaporta. Pra, 445 pasaporta në ditë, shifër që e rrit pothuajse për katër herë shkallën e këtij shërbimi, krahasuar me mesataren e të gjithë periudhës pararendëse të vitit 2020. Nga data 27 korrik deri më 28 gusht 2020, Konsullata jonë e Përgjithshme në Selanik ka kryer 4370 aplikime për pasaporta. Pra, 218 pasaporta në ditë, shifër që gati e dyfishon shkallën e këtij shërbimi, krahasuar me mesataren e të gjithë periudhës pararendëse të vitit 2020.

Po ashtu, vlen gjithsesi të theksohet se nga data 27 korrik 2020 deri më 28 gusht 2020 në Ambasadën në Athinë janë kryer dhe dorëzuar 6656 pasaporta/ karta identiteti dhe në Konsullatën e Përgjithshme në Selanik janë kryer dhe dorëzuar 6389 pasaporta/ karta identiteti. Në përpjekjen për t’ju shërbyer qytetarëve shqiptarë, pra, trupa konsullore e Republikës së Shqipërisë praktikisht ka sfiduar edhe kufijtë e punës së saj fizike. Duke qenë shumë të ndërgjegjshëm për nevojën e përmirësimit të mëtejmë të punës lidhur me shërbimet konsullore, ju sigurojmë se po punojmë pakursim për t’i dhënë një pamje krejt të re hapësirave të punës e rritur dukshëm cilësinë e shërbimeve për qytetarët tanë të nderuar.

SHKARKO APP