Rrahu me grushte gazetarin, pas 5 ditësh arrestohet autori
Policia e Shtetit, ka arritur që të arrestojë autorin e dyshuar të goditjes së gazetarit të kronikës së zezë, Adriatik Doçi. Pasditen e sotme policia ka prangosur 32-vjeçarin me iniciale K.S. Pesë ditë më parë ai ka goditur për shkak të detyrës në afërsi të banesës në Kamzë, gazetarin Doçi, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe deputeti socialist Erion Braçe i cili kërkoi drejtësi.
Njoftimi i Policisë
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në Kamzë, pas denoncimit nga gazetari A. D. goditur në afërsi të banesës, nga një shtetas i paidentifikuar, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Pas një pune profesionale dhe hetimore, të kryer nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në Kamzë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapjen dhe arrestimi, në rrugën “Sami Frashëri”, i shtetasit K. S., 32 vjeç, lindur në Berat dhe banues në rrugën “Ndre Mjeda”, Tiranë.
Ky shtetas, më datë 13.11.2022, rreth orës 12:00, ka goditur disa herë, me grushte, për shkak të detyrës, në afërsi të banesës, në Kamzë, gazetarin A. D., duke i shkaktuar dëmtime fizkike. Arrestimi i shtetasit K. S. u bë bazuar ne dokumentimin e administrimin e provat shkencore e ligjore, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e fokusuar për të mbrojtur dhe respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve e në veçanti të gazetarëve dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të cenimit të të drejtave, duke iu garantuar reagim të shpejtë e profesional.