“Rraja”, PD: Arrestimi nuk mjafton; PS: Luftë e pisët politike
Arrestimi i Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja, përplasi me deklarata Partinë Demokratike dhe atë Socialiste.
I pari ishte Rama që përmes një reagimi të shkurtër në twitter tha se zhvillimi i sotëm tregon qartazi ndryshimin mes tyre dhe demokratëve.
Rama: “Ndryshe nga ata që dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia duke i hapur luftë prokurorisë dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë, qeveria e mbështet drejtësinë e barabartë për të gjithë gjithmonë. Inkurajoj prokurorinë të mos ndalet deri në fund”.
Balla: Prokuroria t’u japë hakun edhe autorëve dhe heroit të Babale II
Fill pas tij ishte kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i akuzuar si i përfshirë në dosjen e Rexhep Rrajës nga oficeri Emiljano Nuhu, i cili në fb kërkoi nga organi i akuzës të procedojë edhe ndaj atyre që i quajti autorë dhe heroit të Babale ll.
Balla: Përpara ligjit ne jemi të gjithë të barabartë përveç Saliut, Lulit dhe atyre që i shpëtuan prokurorisë, fale Saliut dhe Lulit që nuk i zbatonin urdhërat e organit të akuzës.Barazia para ligjit për ne nuk është sllogan po parim themelor në fjalën tonë, në reformat dhe qendrimet tona.
Ndalimi i djalit të deputetit na ndan qartë edhe njëherë nga ata që kemi përballë!Sepse jo vetem nuk e pengojmë prokurorinë dhe as protestojmë kundër saj, po e mbêshtesim plotësisht.Drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj deri në fund dhe shpresoj shumë që edhe autorët dhe heroi i Babale dyshit të marrin atë që ju takon nga organi i akuzës!
PD: Arrestimi i djalit të deputetit, truk për t’i vënë kapak një skandali më të madh politik
Në kundërpërgjigje Partia Demokratike tha se arrestimi i djalit të deputetit provoi akuzat e oficerit. Për demokratët kjo nuk mjafton, pasi ishte vetëm një truk për të mbyllur një skandal të madh politik.
PD: Arrestimi i djalit përdhunues të deputetit të PS është prova se gjithë vemendja e Edi Ramës këto dy muaj dhe e Prokurorisë nën urdhrat e tij ka qenë për të mbrojtur përdhunuesin dhe zyrtarët e deputetët e tij, të përfshirë në krim.
Arrestimi i djalit të pushtetarit erdhi vetëm pas bërjes publik të rastit nga nënkomisar Emiljano Nuhu, duke provuar vërtetësinë e dëshmisë së tij.
Por arrestimi i djalit të deputetit të Edi Ramës vetëm nën presionin e lartë publik, është i pamjaftueshëm dhe një truk për t’i vënë kapak një skandali më të madh politik: përfshirjes direkte të disa prej pushtetarëve më të lartë të vendit në krimin e mbulimit të torturimit të vajzës nga djali i deputetit të Edi Ramës.
Arrestimi i djalit të deputetit të PS Rrahman Rraja është një truk, sepse, bashkë me të, para drejtësisë duhet të ishte Rrahman Rraja, Taulant Balla dhe Artur Bushi, të pranishëm në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut për të mbyllur çështjen.
Arrestimi i djalit të deputetit të PS është një truk për të mashtruar opinionin publik, sepse në burg, bashkë me të, duhet të ishin shefat e komisariateve që, gjatë gjithë këtyre muajve, mbajtën anën e kriminelit dhe jo të vajzës së dhunuar apo të policit të kërcënuar.
Arrestimi i djalit të deputetit të deputetit të PS Rrahman Rraja është hile për të mashtruar publikun, sepse Ministri i Brendshëm, Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e fshehën krimin dhe nuk zbatuan ligjin, pavarësisht se ishin vënë zyrtarisht në dijeni nga oficeri i policisë Emiljano Nuhu.
Arrestimi i djalit përdhunues të deputetit të Edi Ramës pa prekur asnjë nga pushtetarët që penguan drejtësinë, që mbrojtën përdhunuesin, që kërcënuan vajzën e torturuar dhe më pas kërcënuan me pistoletë në kokë edhe oficerin Nuhu, është skenari mafioz që ligji të mos zbatohet për kriminelët me të cilët Edi Rama ndan pushtetin.
Balla: Partia babalokraktike, luftë të pisët politike me mua dhe PS
Ndaj kësaj deklarate reagoi sërish deputeti Balla. Në fb, Balla tha se përshëndet deklaratën e partisë babalokraktike (PD), sepse nxjerr plotësisht zbuluar qëllimin e tyre që nuk ka qenë e nuk është fare drejtësia për vajzën e dhunuar, por lufta e pistë politike me mua dhe Partinë Socialiste!
Balla: E di që prej vitesh tashmë jam halë në sy për Saliun, Lulin dhe ca sherbëtorëve ordinerë të tyre, se të them të drejtën ka edhe deputetë të PD që janë njerëz normalë.Nuk më çudit asgjë që ata thonë, bëjnë, nxisin, thurin apo inskenojnë për të më baltosur e cënuar mua. Siç në fakt ishte shpifja e radhës në qershor me paratë e kapura nga Policia e Shtetit, kur në fund i humbur doli Lulzimi e të cilit do t’i duhet të paraqitet më datë 10 Tetor në Gjykatë si i akuzuar.
Por kjo deklaratë sot më ka çuditur pak se është e gjitha në mbështetje të qasjes sonë dhe deklarata konfirmon se Luli dhe PD vajzën e dhunuar e duan thjeshtë mish për top në luftën politike!Mezi po pres që Prokuroria të fillojë hetimin mbi kallzimin e depozituar prej meje javën e shkuar dhe të thërrasë edhe të kallzuarin kryesor, Lulzimin! Jam i sigurtë që rezultatet do të jenë të shpejta dhe se regjizori Lulzim bashkë me aktorin e radhës së Babale 2 do të japin llogari para drejtësisë.Sa për Saliun atë e ka kallzuar koha dhe s’ia vlen të merremi me të në këtë rast.
Deputetet e PS-së: Të ndalet dhunimi publik i vajzës për motivet e politikës së dëshpëruar opozitare
Për arrestimin e Rexhep Rrajës reaguan dhe grupi i grave deputete të Partisë Socialiste, të cilat ritheksuan mbështetjen për Prokurorinë në hetimin deri në fund të së vërtetës për dhunimin e Xhisiela Malokut.
Gratë deputete të PS-së: Na vjen shume mirë që prokurorja e çështjes është një grua, e cila sot ka të gjithë solidaritetin tonë në kryerjen e detyrës si edhe inkurajimin tonë të plotë, për t’i shkuar deri në fund çështjes në fjalë. Duke i rezistuar çdo ditë prej kohësh tanimë, vulgut politik e mediatik dhe duke treguar guxim e vendosmëri në ndarjen e drejtësisë nga politika, Prokuroria po jep në vijimësi sinjale shumë inkurajuese për shqiptarët që duan drejtësi.
I bëjmë përsëri thirrje kolegeve deputete të opozitës të ndikojnë që të ndalet dhunimi publik i vajzës për motivet e politikës së dëshpëruar opozitare. Po ashtu u shprehim atyre keqardhjen për deklarata e akuza të ulëta, që shkojnë në drejtim krejt të kundërt me interesin e Xhisielës dhe të drejtësisë për të.Për ne drejtësia për vajzën është mbi gjithçka. Për ne ligji është mbi gjithkënd.
KOHA JONË SONDAZH

