Rregulla të reja për PPP-të/ Për çdo projekt, ekspertizë për studimet e fizibilitetit dhe oponencën ndaj tyre
Pas ndryshimeve në ligjin “Për koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”, Këshilli i Ministrave ka mirataur edhe vendimin, që i hap rrugën mbështetjen me ekspertizë të specializuar në hartimin e studimit të fizibilitetit të projekteve të mundshme nga ana e institucioneve kontraktore.
Miratimi i këtij vendimi ka një rëndësi të veçantë pas akuzave të shumta mbi zbatimin e projekteve që nuk kanë leverdisshmëri nga pikëpamja ekonomike, sociale dhe mjedisore. Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, do të jetë Komiteti i Përzgjedhjes së Koncesioneve dhe PPP-ve që do të vendosë se cilët projekteve do të zbatohen. Ky komitet ka në përbërje ministrat përgjëgjës për financat, infrastrukturën, energjinë, zhvillimin urban dhe mjedisin.
Ndërkohë që, ky Komitet ka të drejtë të ftojë në mbledhjen e tij edhe përfaqësues nga bota akademike për të dhënë opinionin e tyre në lidhje me projektin e koncesionit/PPP. Megjithatë, sipas vendimit, mosmarrja pjesë e palëve të interesuara ose e përfaqësuesve të tyre nuk pezullon a ndalon shqyrtimin e projektit.
Gjithashtu, vendimi përcakton se është Komiteti që shqyrton dhe miraton kërkesat e autoriteteve kontraktuese për mbështetje me ekspertizë të specializuar për: hartimin e studimeve të fizibilitetit të projekteve të koncesionit/PPP, kryerjen e oponencës për këto studime si dhe kryerjen e oponencës së propozimeve të pakërkuara, ndonëse këto të fundit për një sërë sektorësh tashmë janë ndaluar.
Kërkesa për oponencë teknike të projektit duhet të depozitohet pranë Agjenciss së Trajtimit të Koncesioneve, që ka dhe rolin e sekretriatit të Komitetit. Ndërkohë që, në çdo rast, për projekte me vlerë mbi 100 milion euro autoriteti kontraktues ka detyrimin të kërkojë mbështetje me ekspertizë të specializuar për hartimin e studimit të fizibilitetit,oponencën e studimit të fizibilitetit dhe oponencë të propozimeve të pakërkuara.