Rreh nënën e fëmijës me autizëm, mësuesja: Më ofendoi me një fjalor banal

Në oborrin e shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici” në Durrës në datën 4 Qershor 2021 ka patur një përplasje fizike dhe dhunë mes një prindi të një fëmije, Fjoralba Rusa dhe mësueses Valentina Jance. Pas një zënke të fëmijëve të tyre, janë rrahur edhe dy nënat, që janë prindërit përkatës. Fëmija i zonjës Rusa është me aftësi ndryshe dhe sipas të ëmës, mësuesja Valentina Jance e dhunon verbalisht, duke qenë dhe mësuese në të njëjtën shkollë.

Emisioni “Stop” pas denoncimit ka shkuar në shkollën “Qemal Mici”, ku është takuar me prindin e fëmijës, Fjoralba Rusa, e cila tregon të gjithë ngjarjen si ka ndodhur.

“Ditën e premte po prisja djalin për ta marrë nga shkolla, aty ka ardhur mësuesja Valentina Janca dhe filloi duke bërtitur. Më tha që “çuni jot më ka ngacmuar gocën”. Filloi me ofendime me gjuhë banale që nuk mund të flitet. Pastaj erdhi çuni me mësuesen dhe e kapi nga koka i hodhi kapelën. Pastaj më kapi mua më gërvishti këtu dhe më ofendoi me një fjalor degradues“, tregon Rusa.

Më pas gazetarët kanë zhvilluar dhe një takim me drejtorin e shkollës, Eduart Prenga, i cili na pohoi, që ka patur dhunë fizike mes mësueses dhe prindit, por që në këtë situatë, mësuesja ka qenë në rolin e prindit.

Drejtori tha se ky prind është ankuar, që mësuesja hyn në klasën, ku ka djalin denoncuesja dhe për këtë i është tërhequr vëmendja. “Është e vërtetë, pas përfundimit të të procesit mësimor, ka ndodhur mes zonjës dhe mësueses, që në rastin konkret është prind, ka ndodhur një përplasje verbale dhe fizike. Ne kemi raportuar në organet kompetente. Mësuesja ka vajzën në atë klasë, ashtu si zonja dhe mësuesja ka fëmijën në atë klasë. Nga prindi më është thënë që mësuesja të mos futet më në klasë pasi fëmija ka një lloj fobie prej saj. Pas kësaj mësuesja nuk ka shkuar më në atë klasë“, ka thënë drejtori i shkollës.

Por nga ana tjetër vetë mësuesja Valentina Jance mohoi të ketë patur dhunë fizike mes saj dhe prindit, duke deklaruar, se nuk i është tërhequr asnjëherë vërejtje, se hyn në klasën e vajzës së saj.

Mësuesja: Prindi me mua nuk ka patur asnjë konflikt. Të mbaj përgjegjësi vetë, se ku i ka bërë shenjat, të mbajë përgjegjësi vetë!

Gazetarja: Çfarë ka ndodhur?

Mësuesja: Siç bëjnë fëmijët gjithmonë, tentojnë të ngacmojnë në klasë, është pak agresiv por nuk është faji i fëmijës në këtë rast.

Gazetarja: Ju e dini sa minuta qëndron fëmija i zonjës Fjoralba në shkollë?

Mësuesja: Nuk e kam idenë fare. Nuk futem fare, nuk e kam idenë fare. Unë nuk futem fare në atë klasë. Nuk më është tërhequr asnjëherë vëmendja. Hap kamerat!

Gazetarja: Ty të është tërhequr vëmendja nga drejtoria e shkollës.

Mësuesja: Nuk më është tërhequr asnjëherë vëmendja. Hap kamerat.

Gazetarja: Pse po largoheni tani.

/Tvklan.al/

SHKARKO APP