Rrëmbehen dy vëllezër për 10 mijë Euro në Shkodër, pengmarrësit shkëmbim zjarri me policinë

 

Policia e Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë realizuar një operacion ku kanë bërë të mundur lirimin e një qytetari që ishte marrë peng nga disa persona. Gjatë aksionit, pengmarrësit dhe policia shkëmbyen zjarr, por fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar. Ndërkohë, në prangat e policisë ranë tre persona dhe katër të tjerë u shpallën në kërkim.
 
Mësohet se autorët kishin marrë peng dy vëllezërit me iniciale S.K dhe A.K , por njërin prej tyre e kishin liruar që të gjente 10 mijë Euro në këmbim të lirimit të vëllait. Dy vëllezërit ishin marrë peng që në datë 21 Nëntor 2015 nga 7 persona në fshatin Plan të njësisë administrative Pult të Bashkisë së Shkodrës. Operacioni i koduar “Pengu” u zhvillua mbrëmjen e djeshme, duke bërë të mundur edhe lirimin e njërit prej vëllezërve që ishte marrë peng. Kështu, në prangat e policisë ranë Tomë Shkrepa 32 vjeç, Lek Shkrepa 36 vjeç dhe Kolë Dushku 22 vjeç. Kurse në kërkim janë shpallur P.Dushku 35 vjeç, P.Dushku 20 vjeç, L.Vala 20 vjeç dhe F.Vala 20 vjeç.
 
Operacioni për lirimin e pengut u zhvillua në një terren të thyer malor dhe me dëbore ku në momentin e lirimit të pengut, pengëmarresit shkëmbyen zjarr dhe duke përfituar nga terreni i veshtirë e kushtet e vështira klimaterike, disa nga pengëmarresit arritën të largohen.
 
Në vendin e ngjarjes u sekuestruan 15 gëzhoja dhe 275 gram kanabis sativa. Arsyja e pengmarrjes dyshohet të kenë qenë për një pazar droge, pasi mendohet që njëri prej vëllezërve kishte ndërmjetësuar me disa persona të tjerë, të cilët u kishin blerë lëndën narkotike të sipërpërmendurve dhe nuk u kishin dhënë lekët .

SHKARKO APP