Rrëmbim, prostitucion, trafik droge e grup kriminal, OFL iu çon formularët 3 të dënuarve nga Elbasani: Deklaroni burimet e pasurisë (Emrat)
Operacioni Forca e Ligjit ka shkuar në Elbasan kësaj radhe ku iu kërkon burimet e pasurisë 3 të dënuarve për vepra të ndryshme penale, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
Bashkim Bubeqi, banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
Durim Koçi, banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
Emanuele Budini, banues në Elbasan, i dënuar për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vjedhja”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.