“Rrënjët e ‘Tires’ duhet t’i shohim te mega-aferat…”, Spahia: Jemi në situatë alarmante nga Covid-19, ja masat që do marrë PD
Ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia, i cilësoi arrestimet te spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi”, që lidhen me rastin abuziv të sanitares Tire Alldervishi, si shfaqje të realitetit të trishtë, që ka përfshirë sistemin tonë shëndetësor.
I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, Spahia deklaroi se fenomeni i korrupsionit ka ekzistuar edhe kur ishte PD në pushtet, por deri në vitin 2013 ka pasur reforma të jashtëzakonshme dhe përmirësim të vazhdueshëm, ndërsa pas këtij viti, kur në pushtet erdhi PS, nisi degradimi ekstrem.
“Arrestimet te Shefqet Ndroqi i cilësoj si një shfaqje të realitetit të trishtë, që ka përfshirë vendin. Më tepër se një aspekt personal të atyre personave, do ta konsideroja një fenomen. Tirja në vetëvete është një fenomen, që lidhet me modelin e qeverisjes së këtyre 8 viteve. Nuk është Tirja e Sanatoriumit rasti i vetëm, por që në vetëve reflekton situatën reale në sistemin shëndetësor. Shqiptarët janë mësuar të dëgjojnë afera korruptive në nivelet më të larta të qeverisjes. Vendi ynë po kalon një moment shumë të vështirë. Rasti i Tires tregon zhytjen në korrupsion të thellë të strukturave shtetërore. Rrënjët e Tires duhet t’i shohim te drejtuesit e sistemit shëndetësor, sic ishin ato PPP klienteliste korruptive.
Gjatë këtyre 8 viteve kemi parë një degradim komplet të sistemit shëndetësor. Duhen gjetur faktorët ndikues në degradimin e kësaj situate. Jo pa qëllim solla në vëmendje mega-aferat në nivelet e larta të qeverisë dhe shëndetësisë. Nuk themi që para 8 viteve ka qenë një sistem që ka shkëlqyer, pasi edhe atëherë ka pasur problematika të mëdha, por ka pasur një përmirësim të vazhdueshëm deri në vitin 2013. Ka pasur reforma të jashtëzakonshme deri më 2013. Por nga ky vit pati një fillim ekstrem të degradimit shëndetësor. Nuk mendojmë se do të zhduket tërësisht korrupsioni, pasi është një fenomen që kërkon një luftë të përditshme. Por ne do të ndërmarrim hapat e duhur për minimizimin e këtij fenomeni, duke ofruar ato pika kryesore, që u shpalosën përmes kryetarit Basha, kur prezantoi programin për shëndetësinë. Aspekti kryesor i programit të PD është vendosja e pacientit në qendër të gjithë përpjekjeve tona për garantimin e shërbimit të mirë, dhënien e hapësirave atij për të zgjedhur vetë mjekun e familjes, mjekët, trajtimin e specializuar, ku mund të marrë shërbimin mjekësor; Për të vijuar më tej te garantimi i marrjes së rimbursimit të ilaçeve në bazë të diagnozës së përcaktuar; daljen e kësaj situate kaotike me barnat e ilaçet, ku pa frikë mund të themi se jemi kthyer në një han pa porta, ku mund të hyjë cdo lloj preparati i pagarantuar, që mund të jetë i rrezikshëm dhe të krijojë dëme të parikuperueshme në jetën e qytetarëve. Gjithashtu, pikë e rëndësishme është infrastruktura, kthimi i dinjitetit personelit shëndetësor, përmes rritjes së pagave, kthimi i vëmendjes edhe te mjekët specializantë, përmes rritjes së pagave të tyre, shtimin e numrit të mjekëve, deri në dyfishimin e tyre”, tha ish-deputeti i PD.
I pyetur për situatën aktuale në vend nga koronavirusi, pasi javët e fundit kanë shënuar shifra rekord infektimesh, Bardh Spahia deklaroi se “Ka një situatë tejet alarmante, dhe jemi koshientë që shifrat e MSH nuk pasqyrojnë realitetin shqiptar. Është mbajtur në errësirë të plotë gjithë informacioni që duhet të ishte publik, transparent, jo vetëm sa i përket shkallës së përhapjes të virusit, por edhe për masat e marra. Në mënyrë kriminale, qeveria zgjodhi një errësirë të plotë informative, një mungesë të plotë transparence, që shton pasigurinë te qytetarët, por rrit edhe papërgjegjshmërinë te qytetarët, në kontekstin që nëse nuk i pasqyrohet situata reale e përhapjes së virusit, sigurisht që do të ketë rënie të alertit tek ata. Është vetë qeveria që kontribuon në uljen e ndjeshmërisë apo alertit te qytetarët karshi virusit. Shifrat flasin vetë, jemi në shifra tejet alarmante. Jemi vendi me numrin më të lartë të infektimeve, krahasuar me testimet. Është komplet e paimagjinueshme për një vend normal. Shohim një mungesë të plotë të ndërhyrjes së strukturave të qeverisë shqiptare, një mungesë të plotë të një strategjie për t’u përballur me situatën. Që në shtatorin e kaluar, Basha ka ofruar pesë pikat e famshme për ndërhyrje, në mënyrë që të ndagalësohej përhapja e virusit dhe reagimi ka qenë i shurdhër, i verbër nga ana e qeverisë dhe kryeministrit, që vazhdon të sillet me papërgjegjshmëri ekstreme. Duhet ta pranojmë që situata është alarmante, tërësisht jashtë kontrollit. Zgjidhja ngelet vetëm te largimi i kësaj qeverie dhe këtij kryeministri dhe sjellja në shinat e duhura të sistemit shëndetësor, përmes marrjes së masave të duhura”.