Rreshjet e shiut shkaktojnë trafik të rënduar
Prej dy ditësh vijon shiu dhe sinoptikanët thonë se kjo situatë do të zgjasë ndërsa priten reshje me intesitet në jug dhe në zonën qendrore të vendit. Në Tiranë që prej orëve të paradites, ka pasur trafik të rënduar. Një prej rrugëve me shtim të trafikut ka qenë tek ”Rruga e Kuvajtit”, ku mjetet kanë qëndruar në rradhë. Në Tiranë të gjitha rrugët janë bllokuar duke shkaktuar trafik dhe ngërç të qarkullimit.
Trafiku rrugor në kryeqytet është kthyer në një vështirësi të përditshme për qytetarët pas fillimit të reshjeve. Kryqëzimet por edhe shumica e rrugëve kryesore, ajo e Durrësit, Kavajës, Unaza në dy krahët e saj dhe shumë akse të tjera janë më problematiket. Me ngarkesë mjetesh dhe pritje të gjata në trafik shoqërohet lëvizja në hyrje të rrethrrotullimit të doganës.
Në këtë situatë të rënduar Policia Rrugore ka ndërmarrë një plan për mbarëvajtjen e trafikut, por siç duket dhe nga pamjet efekti ka qenë thuajse zero. Mbi 60 efektivë të policisë rrugore janë pozicionuar në kryqëzimet e Tiranës, për të menaxhuar lëvizjen e automjeteve. Sipas statistikave në shumë prej akseve problematike ka pasur shtim të numrit të mjeteve që qarkullojnë për orë. Në pjesën e ”Unazës së Re”, janë numëruar në ditë të caktuara mbi 1500 makina për orë ndërkohë që në akse të tjera të kryeqytetit lëvizja ka qenë deri në 1 mijë makina për orë.
KOHA JONË SONDAZH

