Rrëshkitje në rrugën e Tudanit, ndërhyrjet kryesore në verë

Rruga e fshatit Tudan ka pësuar rrëshkitje të konsiderueshme të dherave për shkak të reshjeve intensive gjatë muajve nëntor–shkurt, duke vënë në vështirësi qarkullimin për banorët e zonës.
Sipas Bashkisë Elbasan, Agjencia e Shërbimeve Publike dhe Emergjencat Civile u njoftuan që në fillim të muajit Janar për bllokimin e një prej segmenteve që lidh fshatin, ndërkohë që ekipet e bashkisë ndërhynë disa herë për pastrimin e zonës. Megjithatë, situata ka vazhduar të përsëritet për shkak të rrëshkitjeve të vazhdueshme.
Për shkak të rrezikut për punonjësit, makineritë u detyruan të largohen nga vendi, ndërsa Bashkia kërkoi një vlerësim të specializuar nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar. Ekspertët kryen veprimet e nevojshme në terren dhe, në përgjigjen e datës 13 Mars 2026, theksuan se nevojitet një studim i thelluar gjeologo-inxhinierik për të vlerësuar terrenin.
Nga studimi paraprak, ekspertët rekomandojnë që ndërhyrjet kryesore për stabilizimin e rrugës dhe ndërtimin e një muri mbrojtës të bëhen gjatë muajve të verës, kur terreni të jetë plotësisht i tharë. Vendosja e tubave për stabilizimin e ujërave sipërfaqësorë është tashmë realizuar, ndërsa pastrimi i rrugës dhe ndërtimi i murit mbrojtës mbeten detyra të ardhshme.
Bashkia Elbasan mirëkupton shqetësimin e banorëve të Tudanit për përdorimin e këtij aksi më të shkurtër, por sqaron se fshati nuk është i bllokuar. Banorët mund të aksesojnë fshatin përmes dy rrugëve alternative, ndërkohë që lidhja me qendrën e Njësisë Administrative dhe shërbimet shëndetësore dhe komunale mbetet plotësisht funksionale.
Autoritetet lokale kërkojnë mirëkuptimin e banorëve për përdorimin e rrugëve alternative derisa kushtet atmosferike të lejojnë ndërhyrjet në këtë aks. Vendimi përfundimtar për stabilizimin e plotë të rrugës do të merret pas studimit të thelluar gjeologo-inxhinierik.
Bashkia Elbasan thekson se siguria e përdoruesve të rrugës mbetet prioriteti kryesor.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?