Rrëshqitje dheu e përmbytje, IGJEUM ngre alarmin: Lumenjtë që rrezikohet të dalin nga shtrati

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) njofton se duke filluar nga dita e sotme dhe për 5 ditë më radhë në gjithë Shqipërinë priten reshje të dendura shiu, të cilat mund të sjellin edhe përmbytje.

Vendi ynë është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu në të gjithë vendin të cilat priten të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar për përmbytje, duke theksuar se këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Në një njoftim në facebook, IGJEUM bën me dije se përmbytje mund të shkaktohen nga lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës me prurjet maksimale të cilat parashikohen të arrijnë zonat e rrezikuara në datën 12 Janar 2021.

Lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen dhe Shkumbin do i arrijnë prurjet maksimale në fundin e datës 8 dhe 9 Janar 2021.

Lumenjtë Seman dhe Vjosa parashikohen të rrezikshëm por me probleme më të vogla lokale të përmbytjeve.

Shkalla e rrezikut nga përmbytjet lumore do varet edhe nga sasia e shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave. Përmbytje urbane dhe rrëshqitje të dherave mund të ndodhin gjithashtu në pothuajse të gjitha qarqet.

SHKARKO APP