Rreth 520 mijë shqiptarë janë larguar prej 2007-ës, 285 mijë të rinj duan të emigrojnë
Nga Roel Korkuti/ SCAN Magazine
Shifrat nuk mund të gënjejnë dhe ato tregojnë se shqiptarët ndër vite janë larguar, gjysëm milioni në vetëm një ekadë. Shqiptarët po vazhdojnë të largohen, e më keq akoma, të rinjtë e këtij vendi, në masë, duan të ikin nga këtu.
Shifrat tregojnë edhe se ky emigrim ka kosto shumë të larta, veç atyre sociale dhe demografike, që impaktin kryesor e japin në terma afatgjatë. Ka kosto konkrete, në rreth 120 milionë euro në vit për vendin tonë, sipas FMN.
Po FMN jep edhe disa këshilla për qeverinë shqiptare, në mënyrë që të mund t`i ndalë këta njerëz të braktisin shtëpitë e tyre. Por, më keq akoma, këto shifra flasin për një të ardhme të gjymtuar, për një Shqipëri të gjymtuar, me njerëz të paarsimuar dhe me të arsimuarit të larguar. 1/3 e atyre që ka kryer arsimin e lartë në vendin tonë, ka ikur.
Kaq mjafton për të kuptuar se alarmi duhej të ishte dhënë me kohë.
520 mijë shqiptarë të larguar në një dekadë
Janë mbi 50 mijë, shqiptarët e larguar nga vendi çdo vit, që prej vitit 2007. Këtë gjë e thotë raporti më i fundit për emigrimin i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Sipas këtij raporti, mesatarja vjetore e flukseve migratore nga Shqipëria drejt vendeve të OECD, gjatë periudhës 2007-2017 fiksohet në 52 mijë njerëz.
Kjo do të thotë se, që prej vitit 2007, nga Shqipëria janë larguar rreth 520 mijë njerëz, ose më saktë, 18.1% e popullsisë shqiptare sot. Pra, sipas këtyre të dhënave, thuajse 1 në 5 shqiptarë është larguar nga vendi i tij gjatë dekadës së fundit. Kjo shifër, pra 52 mijë njerëz në vit, është më e larta në rajon e ndër më të lartat në Europë.
Emigrantët nga Shqipëria dekadën e fundit janë më të shumtë në numër se boshnjakët, vend i dalë nga lufta, serbët, popullsi bindshëm më e madhe se e jona, si dhe shumë vende të tjera me popullsi disa herë më të madhe.
Madje, shqiptarët e larguar nga vendi i tyre janë më të shumë në numër edhe se afganët e larguar nga vendi i tyre që prej 2007-ës, apo qytetarët e Bangladeshit. Trendi i largimit vijon edhe sot, paçka se me hapa lehtë më të ngadaltë se mesatarja e kësaj dekade të fundit.
285 mijë të rinj duan të emigrojnë
Janë rreth 300 mijë të rinjtë shqiptarë të cilët duan të largohen nga vendi, thotë fondacioni “Friedrich Ebert” në raportin më të fundit për të rinjtë në rajonin e Europës Juglindore.
Sipas këtij raporti, 43% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi. Pak më shumë se gjysma e tyre, do të donte të largohej nga Shqipëria për më shumë se 20 vite, thuhet në studimin i cili është kryer në formën e një ankete. Nga ana tjetër, 1 në 3 të rinj shprehet se nuk ka aspak ndërmend që të emigrojë nga vendi. Rreth 76% e atyre që duan të largohen, ndërkohë, japin si arsye kryesore atë ekonomike, ashtu si pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Europës Juglindore.
Me një potencial emigrimi në rreth 285 mijë të rinj, Shqipëria është e dyta në rajon, vetëm pas Rumanisë, që ka një popullsi bindshëm më të lartë. Të dhënat duket të jenë alarmante në këtë drejtim. Sa i përket zgjedhjes kryesore të të rinjve shqiptarë për të emigruar, në vend të parë qëndron Gjermania me 26%, në vend të dytë Mbretëria e Bashkuar me 18% dhe më pas Italia, me 16%.
Nga ana tjetër, të pyetur se si ata e vlerësojnë situatën socio-ekonomike në vend, me një notë nga 1-5, të rinjtë shqiptarë i japin vetëm 2.2, që është nota më e ulët ndër të gjitha vendet e rajonit. Nga krahu tjetër, të pyetur të vlerësojnë situatën socio-ekonomike në Bashkimin Europian, të rinjtë shqiptarë japin notën 4.4, më të lartën mes vendeve të rajonit.
Mesa duket, është pikërisht diferenca mjaft e lartë në perceptimin e dy realiteteve, atij në vendin tonë dhe atij në vendet e zhvilluara, ajo që i shtyn të rinjtë shqiptarë që të dëshirojnë në masë të largohen nga vendi.
Sa i kushton ekonomisë emigrimi?
Emigrimi neto është një ndër sfidat më të mëdha të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Përgjatë tre dekadave të fundit, fenomeni i largimit, sidomos i të rinjve, njerëzve të kualifikuar dhe të asaj pjesë të shoqërisë të cilës i referohemi me “truri”, ka qenë një plagë e madhe.
Organizma të ndryshme ndërkombëtare kanë ngritur alarmin për këtë, ndërkohë që një pjesë e tyre japin edhe shifra të përafërta të kostos ekonomike të migrimit neto.
Kështu, në një raport të publikuar kohë më parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, thuhet se në vende si Shqipëria, emigracioni ka fshirë nga 0.6% deri në 0.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Me një ekonomi vjetore në rreth 13 miliardë euro, rezulton se, dëmi i drejtpërdrejtë si pasojë e emigracionit neto në vendin tonë ngjitet deri në 120 milionë euro në vit. Pra, largimi i “trurit” i heq prodhimit kombëtar një pjesë të konsiderueshme.
Veç Shqipërisë, kjo gjë vlen edhe për vende si Mali i Zi apo Rumania në rajon si dhe Letonia me Lituaninë më sipër në zonën e Balltikut. Emigracioni neto parashikohet të shkurtojë forcën punëtore nga 10 deri në 20%.
Jo vetëm puna, motiv i largimit
Puna nuk është domosdoshmërisht qëllimi kryesor i shqiptarëve që vendosin të jetojnë në Europë, pra të atyre që kanë emigruar. Të dhënat zyrtare e hedhin poshtë këtë. Vetëm 39% e tyre ka statusin e të punësuarit.
Në Shqipëri kjo normë është thuajse e njëjtë, në 38%. Duke llogaritur edhe faktin se, norma e papunësisë në vendin tonë është më e lartë se në mesataren e vendeve të Bashkimit Europian, ku edhe janë fokusuar flukset mirgatore të shqiptarëve, atëherë mund të themi pa frikë se shqiptarët në emigrim nuk janë aspak më punëtorë se ata që nuk kanë vendosur, ose pasur mundësinë të emigrojnë.
Thënë në terma më “banalë”, emigrantët shqiptarë nuk janë më punëtorë se shqiptarët e Shqipërisë. Madje, edhe mentaliteti i emigrantëve duket më i prapambetur se ai i shqiptarëve vendas.
Në Europë, 51% e meshkujve emigrantë janë të punësuar dhe vetëm 25% e femrave, pra gjysëm për gjysëm. Në Shqipëri, kjo normë fiksohet në 40% për meshkujt dhe 36% për femrat, pra pranë barazisë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se shqiptarët më punëtorë janë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Norvegji, me 58.4% dhe 58.2% të tyre respektivisht, në marrëdhënie pune. Më pas ndjek Gjermania me 55%. Në Itali dhe Greqi, ndërkohë, shqiptarët në marrëdhënie pune janë 39.1% dhe 38.4% respektivisht. Pra, duket se shqiptarët që emigrojnë në Britaninë e Madhe kanë si qëllim parësor të tyre punën.
Manual i FMN për emigrimin, si të ulet dëshira për t`u larguar
Fondi Monetar Ndërkombëtar jep disa këshilla për të përmirësuar të bërit biznes. Këto masa, nëse zbatohen, jo vetëm që do të përmirësojnë klimën e biznesit, por edhe do të ndikojnë në dekurajimin e emigrimit të shqiptarëve. Ky fenomen, së fundmi ka marrë vëmendjen e një sërë institucionesh ndërkombëtare, por edhe të faktorëve ndërkombëtare, pasi kërcënon rëndë ekonominë e vendit, nëpërmjet deformimeve strukturore të shoqërisë si dhe uljes së ndjeshme të krahut aktiv të punës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar jep kështu 5 këshilla bazë për të përmirësuar klimën e biznesit dhe nxitur idenë e mos largimit nga vendi te shqiptarët, si rrjedhojë. Këshilla numër një është pa diskutim zbatimi i reformës në drejtësi, që është edhe një ndër aspektet më të rëndësishme të të bërit biznes. Këtu përfshihet edhe forcimi i shtetit ligjor.
Këshilla numër dy i referohet fuqizimit të kuadrit ligjor për të drejtën e pronës, që do të nxisë kreditimin e sektorit privat si dhe investimet e huaja direkte. Këshilla numër tre i referohet përmirësimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe arsimit. Më pas FMN vijon duke këshilluar ngushtimin e hendeqeve në infrastrukturë me vendet e tjera të rajonit. Këshilla numër 5, ndërkohë, ka të bëjë me harmonizimin e standardeve me Bashkimin Europian.
Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, duket se këto 5 hapa janë të mjaftueshëm për të nxitur një klimë më të mirë biznesi në vend si dhe për të dekurajuar shqiptarët që të largohen nga vendi.
Emigrimi, gjeneratori i “zbrazjes”
Shqipëria është i vetmi vend në Europë që rezulton me popullsi në rënie, për shkak të emigrimit. Këtë gjë e konfirmojnë të dhënat e përditësuara të Eurostat, që i referohen popullsisë së 37 vendeve të kontinentit të vjetër. Nga këto të dhëna, rezulton se, vetëm 11 shtete nga 37 kanë një popullsi në rënie në krahasim me vitin paraardhës.
Por, ndërkohë që për 10 nga këto shtete, rritja natyrore e popullsisë është negative, pra ka më pak lindje se vdekje, për Shqipërinë nuk është kështu. Kjo gjë tregon qartë se, rënia e popullsisë në vetëm 2,870,000 njerëz është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e largimit të shqiptarëve nga vendi. Rënia vjetore fiksohet në 2.2%.
Kjo është norma e tretë më e ulët në Europë, pas Portugalisë dhe Italisë. Nga ana e kundërt, ndërkohë, emigrimi hyrës ka ndihmuar në rritjen e popullsisë në disa vende të Europës, si Suedia, deri në 12% apo edhe në uljen e impaktit të rënies së numrit të lindjeve në pjesën tjetër të Europës. Projeksionet demografike në kontinentin e vjetër janë alarmante dhe kohëve të fundit as Shqipëria nuk i ka shpëtuar dot këtij fenomeni.
Veç emigrimit, tashmë është faktuar edhe një rënie e konsiderueshme e numrit të lindjeve gjë që sinjalizon se në vitet e ardhshme, pa zgjidhur këtë, do të ketë një rënie të ndjeshme të popullsisë së vendit tonë.
Shqipëria, e paarsimuar
Raporti më i fundit i Bankës Botërore për migrimin dhe largimin e trurit nxjerr në pah disa të dhëna që duhet të shërbejnë si “kambanë alarmi”. Shqipëria është një prej vendeve me hendekun arsimor më të lartë në rajonin e Europës Lindore dhe Azisë Qëndrore. Sipas Bankës Botërore, shqiptarëve i`u mungojnë rreth 4 vite arsimim, pra janë në deficit të ndjeshëm arsimor. Vetëm Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë më keq se ne në këtë drejtim, ndër vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mesatarja e rajonit të gjerë është diçka më pak se 3%. Sipas Bankës Botërore, në shumë vende kjo mund të lidhet ngushtë me shtrirjen gjeografike të një shteti, pra me largësinë nga deti. Por, ky nuk është aspak rasti i Shqipërisë, pasi vendi ynë është i pari ndër të gjitha këto vende në këtë drejtim, me thuajse 100% të popullsisë së saj që jeton brenda 100 kilometrave nga bregu. Por, nuk mbaron me kaq. Jo vetëm që shqiptarëve i`u mungojnë 4 vite arsimim, por edhe ata që janë mjaftueshëm të arsimuar, largohen.
Sipas të njëjtit raport, në Shqipëri norma e të larguarve me arsim të lartë fiksohet në rreth 40%, ndër më të lartat, por jo më e larta në rajon. Veç të tjerash, 1/3 e atyre që kanë kryer arsimin e lartë në vendin tonë, janë larguar në emigracion.
Pra, jo vetëm që në Shqipëri ka një deficit të theksuar njerëzish të arsimuar, por edhe ata pak njerëz që janë të arsimuar sa duhet, janë larguar, apo vazhdojnë të largohen.