Rreth 900 gjoba në ditë në Tiranë. Cilat janë shkeljet më të shpeshta që shoferët kryejnë
Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar kontrollet, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në kryeqytet. Rëndësi e veçantë i është kushtuar ndëshkimit të atyre drejtuesve të mjeteve që përdorin korsitë e dedikuara për mjetet e transportit publik, të ambulancave, zjarrfikëseve apo taksive, atyre që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit apo nuk vendosin rripin e sigurimit.
Kontrolle të shtuara edhe për ata që qarkullojnë me shpejtësi apo drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, apo që kryejnë gara shpejtësie.
•Gjatë javës që lamë pas, Policia Rrugore e Tiranës goditi 3 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer.
•27 persona janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, për mitëdhënie dhe për shkelje të tjera.
•150 leje drejtimi janë pezulluar, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
•Janë vendosur 6,349 masa administrative, me një mesatare 907 masa në ditë, konkretisht për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike, për parakalime të gabuara, për përdorim të aparati celular, për mosvendosjen e rripit të sigurimit, për shpejtësi tej normave të lejuara, për shkelje të semaforit, për mosdhënie përparësise këmbësorëve, për xhama të zinj, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, për qëndrime të gabuara etj.
•Janë bllokuar 21 automjete, për mungesë dokumentacioni apo me targa të huaja, të cilat i kanë kaluar për verifikime të mëtejshme Seksionit kundër Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.
•Janë hequr 3 palë targa të modifikuara, që nuk i përkisnin mjeteve ose ishin të çregjistruara nga vendet e origjinës.
Policia Rrugore e Tiranës falënderon përdoruesit e rrugës që zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri.