Rrezikoi jetën për qetësinë publike, polici 25-vjeçar në spital. Balla: Autori të marrë dënim ekzemplar

Redin Çaushaj, një punonjës policie nuk ishte në shërbim, por u bë dëshmitar i një sherri. Ai u godit me thikë në qafë, pasi ndërhyri për të ndaluar një konflikt fizik mes disa personave në fshatin Pilur të Himarës, mbrëmjen e së martës. 25-vjeçari u qëllua nga Thodhori Mërkuri. Efektivi rrezikoi jetën e tij, pasi mbeti i plagosur i rëndë dhe u dërgua për mjekim në spitalin e Vlorës. Kolegët e tij, efektivë policie dhuruan gjak për t’i ardhur në ndihmë 25-vjeçarit. Bëhet me dije se ka kaluar rrezikun për jetën, por ka marrë dëmtime të shumta.

60-vjeçari Thodhori Mërkuri, autor i ngjarjes u kap disa orë pas krimit dhe ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur. Ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë. Po ashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla vizitoi efektivin në spital dhe gjatë fjalës së tij, deklaroi se do të “godasin” këdo që cënon ligjin dhe shteti do të reagojë me gjithë forcë mbi këdo që sulmon. Balla tha se autori duhet të marrë një dënim ekzemplar pasi kushdo që ngre dorën mbi efektivët e policisë, ka ngritur dorën ndaj shtetit.

SHKARKO APP