Rreziku nga përgjimet e policisë, juristët: Ndryshimet, antikushtetuese
Juristët thonë se angazhimi i policisë së shtetit në kryerjen e përgjimeve ambientale pa urdhër gjykate e prokurori përbën një akt-antikushtetues që rrezikon të drejtat e njeriut. Avokatët thonë se ndryshimet ligjore dublojnë kodin e procedurës penale ndërsa edhe qytetarët thonë se privatësia e tyre është në rrezik përsa kohë që policia mund ti survejojë pa kontrollin e prokurorisë dhe të gjykatës.
Juristët paralajmërojnë se ndryshimet e bëra nga qeveria në kodin penal dhe në ligjin për policinë e shtetit mund të keqpërdoren për përgjimin e kundërshtarëve politikë.
Ledio Braho: Duke ja lënë terësisht pushtetit ekzekutiv dhe policisë së shtetit mundet që të bëhen përgjime dhe përgjimet pastaj nuk dihet se për çfarë mund të përdoren. Patjetër që bëhet politike dhe pikërisht këtë ka sanksionuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas avokatit Ledio Braho, dhënia e kompetencës për përgjim nga policia pa urdhër e kontroll nga prokuroria e gjykata, është antikushtetues dhe në shkelje të të drejtave themelore të njeriut.
Ledio Braho: Është terësisht antikushtetuese, bie ndesh edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Ndryshimet e fundit ligjore përcaktojnë se rregullat e përgjimeve vendosen nga Ministri i Brendshëm, prokurori i Përgjithshëm dhe drejtuesi i SPAK, por sipas avokatëve ky përcaktim përbën dublim të kodit të procedurës penale që është në fuqi.
Ledio Braho: Nuk mundet që ti me udhëzim të dublosh kodin e procedurës penale, as me VKM as me ligj, por me udhëzim. Kanë gjetur një akt nënligjor që të dalin mbi kodin e procedurës penale.
Nga ana tjetër qytetarët thonë se privatësia dhe të drejtat e njeriut janë të rrezikuara përsa kohë përgjimet realizohen nga Policia e Shtetit.
“Privatësia e personit është gjëja e parë në botë.”
Paketa ligjore e propozuar nga qeveria në kuadër të operacionit Anti-KÇK përcakton se policia do të marrë leje nga prokuroria vetëm në rastet e përgjimeve telefonike dhe në ambientet private, ndërsa në vendet publike përgjimet deri në 6 muaj bëhen me miratim dhe me urdhër nga drejtori i policisë.
/Ora News