Rreziku nga zjarret, Xhaçka: FA-të në gadishmëri

Para një viti, Shqipëria u përfshi nga një valë zjarresh, ç’ka solli dëme kolosale. Situata deri më tani paraqitet normale, pasi nuk ka sinjale nga IGJEUM për zjarre por kjo nuk do të thotë se FA-të nuk janë në gatishmëri. Zonat më të rrezikuara nga zjarret mund të jenë Shkodra, Dibra, Korça dhe Gjirokastra.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka me anë të një statusi në facebook, ka bërë me dije se Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo emergjencë që mund të vijë nga shkaqe natyrore. Sipas Xhaçkës, Drejtoria e Emergjencave Civile ka qenë këto ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me specialistët e Emergjencave Civile në Prefektura, me bashkitë e qarqeve dhe me pika të tjera të kontaktit në nivel qendror dhe vendor.

“Ministria e Mbrojtjes, përmes Forcave të Armatosura e Drejtorisë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile është në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo emergjencë që mund të vijë nga shkaqe natyore. Drejtoria e Emergjencave Civile ka qenë këto ditë në kontakt të drejtpërdrejtë me specialistët e Emergjencave Civile në Prefektura, me stacionet e MZSH-së në bashkitë e qarqeve, drejtuesit dhe përfaqësuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, si dhe me pika të tjera të kontaktit në nivel qendror dhe vendor. Nga parashikimet e marra edhe nga IGJEUM, (Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit), në të gjithë territorin e vendit nuk ka pasur ngjarje të jashtëzakonshme apo premisa për ndodhjen e tyre. Së bashku me Forcat e Armatosura do të jemi në ndihmë të strukturave të pushtetit vendor, për të ndihmuar në rast të situatave të zjarreve”-shkruan Xhaçka. Ministrja i ka bërë apel qytetarëve, të bashkëpunojnë, që të shmangim pasojat që mund të sjellin fatkeqësi të ndryshme, veçanërisht në këto ditë të nxehta si edhe të rrisin përgjegjësinë e tyre individuale.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Edhe një herë i bëj apel qytetarëve, të bashkëpunojnë, që të shmangim pasojat që mund të sjellin fatkeqësi të ndryshme, veçanërisht në këto ditë të nxehta si edhe të rrisin përgjegjësinë e tyre individuale. Çdo veprim abuziv, i kryer nga pakujdesia apo me paramendim ndëshkohet me ligj”,-shton më tej ministrja e Mbrojtjes. Në fund të statusit, Xhaçka ka bërë me dije se FA-të kanë rritur edhe kapacitetet për shuarjen e zjarreve duke pajisur helikopterët Cougar të FA me kova 2500 litër për shuarjen e zjarreve.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Këtë verë Forcat e Armatosura kanë rritur edhe kapacitetet për shuarjen e zjarreve gjatë këtij sezoni veror. Helikopterët Cougar të Forcës Ajrore janë pajisur me kova të posaçme për shuarjen e zjarreve, me kapacitet 2500 litër secila”.

/Koha Jonë/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?