Rreziku rus, Bushati: Ja pse Shqipëria është imune! Mediu: Rusia ka ndryshuar strategji, do të infiltrohet kudo
Influenca ruse në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, është bërë temë diskutimi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në Neës24. Deputeti socialist, Ervin Bushati, tha se Shqipëria është imune ndaj rrezikut rus, për faktin se është një vend pro-amerikan dhe anëtar i NATO-s.
Deputeti foli dhe për rezolutën e PS të dërguar sot në Kuvend për ndërhyrjet e huaja në zgjedhje, ku tha se ka të bëjë me dezinformimin dhe mënyrën si financohen burimet për të shpërndarë dezinformim.
“Shqipëria është një vend pro-amerikan, në NATO. Mënyra se si sot në gjithë botën po vërehet ndikimi i Rusisë, me metoda të ndryshme, të bën të mendosh si mund të marrësh masa. Fakti që ne jemi pro-amerikanë na bën imun ndaj sulmeve të Rusisë. Rezoluta që po përgatisim ka të bëjë me dezinformimin, por dhe mënyra si financohen burimet për të shpërndarë dezinformim. Duhet që qytetarët, media, industria, të jetë e mbrojtur, ta imunizojmë sa më shumë nga këto ndikime”, tha Bushati.
Nga ana tjetër, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi se rezoluta ka një gjuhë të përgjithshme dhe nuk ka një burim të qartë informacioni.
“Është shumë e rëndësishme kjo dhe është çështje e hershme. Do ishte shumë e rëndësishme që rezoluta të kishte një burim më të qartë informacioni. Gjuha në rezolutë është një gjuhë shumë e përgjithshme. Kjo që është paraqitur në rezolutë është një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare. Rusia ka ndryshuar strategjinë, nuk është si më parë ku Serbia ishte vendi kryesor, tashmë ata duan të infiltrohen kudo. Nga fjalë, ne duhet të kemi institucione që funksionojnë. Çfarë masash ka qeveria shqiptare për të parandaluar rrezikun?”, u shpreh Mediu.