Rrëzohet një avion i vogël privat në zonën e Kelmendit (FOTO)
Një avion i vogël është rrëzuar në zonën e Kelmendit, në Malësinë e Madhe.
Mësohet se avioni ka bërë ulje të detyruar në livadhet e Vermoshit, ndërkohë që ende janë shumë të paqarta rrethanat e ngjarjes. Piloti dhe një pasagjer janë larguar nga vendngjarja, gjë që ngjall shumë dyshime.
Më tej, mësohet se avioni ka tentuar që të ngrihej, por ka pësuar një avari. Piloti së bashku me pasagjerin kanë tentuar sërish që të ngrihen avionin pas rreth 30 minutash pushim, por më pas avioni ka pësuar një defekt dhe është përplasur me një shtyllë pishe. Dy personat që ishin në bord janë marrë nga një makinë ngjyrë të bardhë, gjurmët e së cilës janë ende në livadh.
Ndërsa nuk dihet ende nëse ata janë turistë, apo ngjarja lidhet me situatën e trafikut të kanabisit në vend. Gjithashtu, nuk dihet ende se ku ndodhen dy personat që ndodheshin në avion.
Kryetari i bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, në një prononcim për mediat ka thënë se banorët e zonës aty pranë kanë dashur që t’u vijnë në ndihmë, por ato si kanë lejuar duke u thënë se nuk kanë asnjë problem. Marinaj tha se policia po zbardh ngjarjen dhe se paraprakisht nuk mund të konfirmojë nëse bëhet fjalë për trafik kanabisi.
“Është ulur një mjet i llojit helikopter dhe sipas banorëve ka tentuar që të çohet, janë afruar disa banorë aty dhe ju kanë ofruar ndihmë nëse kanë diçka problematikë për shëndetin dhe nuk i kanë lejuar. U kanë thënë ‘Jo nuk kemi problem, mos u afroni’, dhe banorët nuk janë afruar. Njerëz të dëmtuar nuk ka. Unë nuk jam në gjendje që t’ju them nëse bëhet fjalë për trafik kanabis, nuk dimë se mjeti i kujt ka qenë dhe se çfarë ka brenda këtë do ta zbardhe policia”,– tha Marinaj.
Informacion paraprak nga policia:
Më datë 04.10.2021, rreth orës 12:30, është marrë informacion se në zonën e Vermoshit, në kufirin ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi (vendi i papërcaktuar) është rrëzuar një avion i vogël.
Menjëherë janë nisur shërbimet nga DVP Shkodër dhe Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, së bashku me Policinë Kufitare për verifikimin e rastit.


KOHA JONË SONDAZH

