Rrihen militantët në Pukë, 1 i lënduar (VIDEO)

 

Fushata elektorale në Puka ka degjeneruar në dhunë dhe sherr masiv mes militantëve të dy forcave kryesore, PS dhe PD. Policia e Pukës njoftoi se pasditen e sotme, si pasojë e një sherri mes simpatizantëve ka mbetur i lënduar një person. Ndërkohë një tjetër është ndaluar dhe pritet të japë sqarime për ngjarjen.

Sipas të dhënave të para, përplasja mes simpatizantëve të PS dhe PD ka nisur fillimisht me fjalë fyese dhe më pas në konfrontim fizik.

Në Bashkinë e Pukës kandidon për PS, Gjon Gjoni, ndërsa për PD, Rrok Doda. 

Pas incidentit ka reaguar dhe Partia Demokratike. Në një deklaratë për mediat, PD i ka hedhur poshtë të gjitha aludimet se se ajo apo simpatizantë të saj kanë qenë të përfshirë në këtë incident. PD e Pukës u distancua nga të gjitha “aktet vandale dhe vazhdon të bëjë një fushatë të qetë dhe fituese”.

Sipas saj personat të cilët ishin të përfshirë në incident ishin simpatizantë të PS-së dhe LSI-së. Sipas informacioneve të PD këta persona janë konfrontuar në lidhje me shpërndarje të hollash për fushatë. Partia Demokratike i bëri thirrje prokurorisë të hetojë dhe zbardhë shkaqet dhe autorët e dhunës dhe t’i vërë ata para drejtësisë.

SHKARKO APP