Rriten rastet me Covid-19 në Berat, infektohen mjeku, infermierja dhe farmacistja e spitalit, pozitivë edhe…

Numri i rasteve me Covid-19 po rritet frikshëm në të gjithë qarkun e Beratit. Situata po përkeqësohet çdo ditë e më tepër, ndërkohë që numri i rasteve aktive ka arritur në 78. Koronavirusi po futet tashmë në çdo institucion shëndetësor, bashki, banka e tregje në Berat.

I rikthyer sërish mes bluzave të bardha, në Spitalin Rajonal të Beratit janë konfirmuar të infektuar me Covid-19 një mjek, një infermiere dhe farmacistja e spitalit. Covid-19 është futur edhe në bashkinë Dimal, ku një punonjës ka rezultuar “pozitiv”, duke shtuar frikën dhe panikun mes gjithë administratës.

Edhe në Tregun e madh dhe të vetëm të qytetit të Kuçovës, kanë dalë “pozitivë” edhe 2 tregtarë të tjerë, pas infektimit të disa ditëve më parë të një çifti bashkëshortësh që kishin një byrektore brenda tregut. Po kështu, shtim të rasteve të reja ka pasur edhe në banka, këtë herë në filialin e një banke të nivelit të dytë në Berat, ku dy punonjës kanë rezultuar “pozitivë”.

Përveç rasteve ty reja, të shumta në numër janë edhe rastet e kontaktit të personave të infektuar. Burime nga Spitali Rajonal i Beratit bëjnë me dije se vetëm gjatë 5-ditëve të fundit drejt Spitalit Covid në Tiranë janë nisur nga Berati 3 raste të rënda me koronavirus.

Pas shtimit dhe përhapjes së madhe të rasteve me koronavirus, inspektorët e Inspektoriatit të Higjenës kanë kryer dezinfektimin e institucioneve të prekura dhe kanë bërë edhe mbyllje të plotë e të pjesshme të zyrave, reparteve e institucioneve.

SHKARKO APP