Në Vlorë prej dhjetorit kanë nisur të aplikohen tarifat e rritura për ujin e pijshëm për familjarë e biznese të miratuara në vitin  2018. Por ndërsa po paguajnë faturat e para, vlonjatët ankohen se çmimi nuk e justifikon cilësinë dhe shërbimin. Nga ana tjetër, Ujësjellësi premton ndërhyrje për të përmirësuar furnizimin.

Dhjetori i kaluar ishte muaji i parë, kur qytetarëve të bashkisë së Vlorës, ndjenë në faturë rritjen e çmimit të ujit të miratuar nga Këshilli bashkiak në vitin 2018.

“Ngritje e jashtëzakonshme, çfarë bëhet?”

“24 mijë lekë, pensioniste e vetme në shtëpi.”

Hyrja e vendimit në fuqi, e çoi nga 30 në 45 lekë/ për metër kub, çmimin e ujit për familjarët dhe nga 80 në 100 lekë për bizneset.

“Duhen ndryshuar tubat e ujit njëherë se janë të ndryshkur, të kohës së Enver Hoxhës.”

Por për qytetarët, rritja e çmimit ishte e pajustifikueshme në një kohë, kur ata ende kanë probleme me furnizimin.

“Nuk kam ujë, në lagjen “Kushtrimi” banoj.”

Argumentat e Bashkisë së Vlorë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm ishin rritja e çmimit të energjisë elektrike me 60% dhe ulja e të ardhurave pas aplikimit të ujëmatësit.

Ndërsa Ndërmarrja e Ujësjellësit Vlorë, e kontaktuar tha se tarifat e reja janë miratuar nga Enti Rregullator i Ujit.