Rritet numri i prekjeve nga Covid-19, në rrugë pjesa më e madhe dalin pa maska
2021 nisi me një rritje të rasteve të reja me Covid-19, dhe numri i atyre që humbën betejën me virusin vdekjeprurës po ashtu ka pësuar rritje. Vetëm dy ditët e fundit rreth 2000 qytetarë kanë rezultuar të infektuar nga Covid19-ta. 19 njerëz kanë humbur jetën.
Në sheshin “Skënderbej”, janë dy zotërinj që po shpërndajnë fletushka për t’u rikujtuar qytetarëve, rëndësinë e masave globale të pandemisë. Por qytetarët po i neglizhojnë masat anti-covid.
“Pamë policët që po gjobisnin ata pa maska. Unë kam dy maska, kam frikë, jeta më dhimbset”, thotë qytetarja. “E kalova Covid-in, humbëm të dashur nga kjo flamë”, thotë një tjetër. “Secili e ka kokën mbi shpatulla, nuk bëhet shaka me këtë punë”.
“Kemi frikë se të ndëshkon kjo sëmundje. Njerëzit prej kohësh nuk i kanë respektuar masat”, janë disa nga deklaratat e qytetarëve.
Mjekët e një prej qendrave ku po kryhet testimi i shpejtë në Tiranë, pohojnë se nga 100 njerëz që paraqiten ccdo ditë, gjysma e tyre rezultojnë të infektuar me Covid-19. Mosha e të prekurve ka zbritur në 20 vjeç.