Rritja e çmimeve, Basha: Qeveria të ndihmojë biznesin që të rrisë pagat dhe shtojë të punësuarit
Lulzim Bashës vijon që të jetë në Shkodër. Në një takim me punonjësit e një fabrike të prodhimit të këpucëve në Shkodër, Basha ka diskutuar mbi situatën ekonomike të punonjësve por dhe sipërmarrësve. Kreu i PD-së së vulës është shprehur se rritja e çmimeve dhe taksat e larta kanë prekur të dyja palët, ndërsa shton më tej se me rrogat e tyre po bëhet gjithnjë dhe më e vështirë për të përballuar nevojat e përditshme.
Postimi i plotë
Pata kënaqësinë të takohem dhe të bisedoj me punonjës të kompanisë së prodhimit të këpucëve Comfort Shoes në Shkodër.
Rritja e çmimeve dhe taksat e larta kanë prekur sipërmarrësit dhe punonjësit. Me rrogat e tyre po bëhet gjithnjë dhe më e vështirë për të përballuar nevojat e përditshme.
Reduktimi i taksave, përmirësimi i klimës së biznesit, ulja e çmimit të energjisë dhe karburantit dhe marrja e masave për të mbrojtur eksportet nga zhvlerësimi fiktiv i Euros janë jetike për t’i krijuar frymëmarrje biznesit në përgjithësi, dhe atij fason në veçanti.
Në këtë mënyrë biznesit i jepet mundësia të investojë, të rrisë pagat, të shtojë numrin e të punësuarve dhe të rrisë prodhimin.