Rritja e çmimit të naftës, deputeti i PD: Jemi në 5 vendet e para në botë

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka ngritur shqetësimin në lidhje me çmimin e lartë të naftës në vend. Për të ky çmim ka shkaktuar varfërimin dhe braktisjen e Shqipërisë nga qytetarët. Në një postim në Facebook, ai krahasoi çmimet e naftës në Shqipëri dhe Kosovë, duke treguar një dallim të madh. Sula argumentoi se rritja e çmimit të naftës influencon të gjitha aspektet e jetës, dhe kërkoi veprime të menjëhershme për të ndaluar këtë vjedhje të qytetarëve.

Postimi i plotë

Një ndër arsyet kryesore të varfërimit të qytetarëve të Shqipërisë dhe për pasojë braktisja e vendit, është çmimi i naftës. Vendi ynë I varfër është tek 5 vendet e para të botës për çmimin më të lartë të karburantit. Në foton që kam publikuar në këtë status paraqitet çmimi i një litër naftë në Shqipëri dhe çmimi i një litër nafte në Kosovë.

Të dyja fotot janë shkrepur nga unë, njëra është në Prishtinë dhe tjetra në Elbasan. Është lehtësishtë e evidentueshme se në Shqipëri çmimi është 500 lekë të vjetër për litër më shtrenjt sesa Kosova. 197-220 lekë kushton 1 litër naftë në Shqipëri. 1.55 euro kushton një litër naftë në Kosovë.

Vlen që të përmendim që kursi i këmbimit të euros ka shkuar afro 1 me 1. Grosistët shqiptarë që importojnë naftë kanë patur kosto të ulura në krahasim me më përpara. Për të bërë dallimin e madh se sa shumë na vjedhin shteti ynë dhe importuesit e naftës me çmimin vlen të theksohet se Kosova që e ka 50 lekë të reja më lirë se ne, vjen me autobote në Durrës për të marrë naftën e importit. Për më tepër pagunë gati 50 euro shtesë për taksën në rrugën e kombit. Megjithatë sërish atje një litër karburant kushton më pak se këtu.

Ne e dimë tashmë që nafta është motorri i ekonomisë. Rritja e naftës sjell një rritje zinxhir të çdo çmimi për ushqimet, shërbimet dhe çdo gjëje tjetër që ka lidhje me jetën tonë. Kështu që, me çmimin e lartë të naftës kjo qeveri mban çdo çmim të lartë dhe jetesa bëhet më e vështirë. Edhe më e vështirë kur pagat indeksohen dhe nuk rriten.
Ndaj është urgjente që të merret çdo veprim për të ndaluar këtë vjedhje të qytetarëve.

SHKARKO APP