Rritja e investimeve të huaja, nisma e diplomacisë shqiptare

Ambasadorët shqiptarë duhet të jenë kontakti i parë për kompanitë e huaja, të cilat kanë mundësi të vijnë në Shqipëri dhe jo vetëm për ato kompani të cilat kanë treguar interes specifik, por gjithashtu edhe për kompanitë, të cilat mundet të kenë interes në Shqipëri dhe ku modeli i tyre i biznesit do të kishte sukses në vendin tonë.

Zv/ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj u shpreh në një intervistë për ATSH-në se, ka pasur një përpjekje proaktive për t’i përfshirë të gjithë ambasadorët në këtë proces.

“Për këtë arsye në bashkëpunimin me Qendrën për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit është organizuar dhe përgatitur një kurs trajnimi prej 18 javësh, i cili përfshin një numër të madh pjestarësh si të administratës publike, por kryesisht për ambasadorë dhe staf diplomatik. Në kursin e nisur prej një jave janë përfshirë tashmë 27 ambasadorë. Shpresohet që nga fillimi i shtatorit i gjithë shërbimi i jashtëm, duke përfshirë edhe institucionet mbështetëse brenda Shqipërisë siç është Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia për Zhvillimin e Investimeve apo edhe Zyra e Kryeministrit, të jenë në të njëjtin nivel, pra në të njëjtën bazë komunikimi dhe të flasin me të njëjtët investitorë. Pra të kemi një proces të parë fund e krye dhe të thjeshtuar si për qasjen jashtë Shqipërisë me investitorët e huaj, por gjithashtu edhe në implementimin e këtyre investimeve edhe kur ata vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë, edhe pasi marrin vendimin për të investuar në Shqipëri”, – tha zv/ministri Xhafaj për ATSH.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Pas Konferencës së zhvillluar në muajin nëntor të vitit të shkuar me të gjithë ambasadorët, qëllimi i së cilës ishte specifik, pra të merrej mendimi dhe kontributi i të gjithë ambasadorëve për atë që mund të bënin ata dhe për atë që mund të bëjë shërbimi i huaj më tepër në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, nga MEPJ janë zhvilluar një numër i madh takimesh, si me përfaqësues të biznesit apo me përfaqësues të shoqatave të biznesit, por edhe me investitorë të huaj të cilët janë duke ardhur në Shqipëri dhe janë tashmë në terren dhe kanë implementuar projektet e tyre. Gjithashtu është bërë një takim me një numër të madh institucionesh duke përfshirë 4 ministritë, të cilat kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me zhvillimin ekonomik të vendit dhe gjithashtu me institucione të tjera, siç janë Agjencia Kombëtare e Turizmit, apo AIDA”, – tha Xhafaj.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në këtë faze, theksoi zv/ministri, “janë duke u zhvilluar edhe takime me grupe akademikësh në mënyrë që të merren mendime nga të gjitha palët që mund të jenë të përfshira në këtë proces”.

“Fillimi i këtij trajnimi është një hap tepër i rëndësishëm për ta kthyer këtë proces, nga një proces dëgjesash dhe konsultash publike me aktorë dhe faktorë të ndryshëm, në një proces proaktiv daljeje që e quajmë outreach për të arritur tek investitorët specifikë dhe për t’u përpjekur të organizohen këto vizita në Shqipëri nga këto investitorë”, – u shpreh Xhafaj.

Zv/ministri shton se, “10 javët e para të këtij kursi kanë të bëjnë kryesisht me historitë e suksesit, me mënyrat dhe metodat që kanë përzgjedhur vende të ndryshëm, të cilët kanë qenë shumë të sukseshëm me diplomacinë ekonomike dhe më pas, 8 javët e fundit do të jenë qasje proaktive ku ambasadorët gjatë funksioneve të tyre të përditshme do të kenë mundësi, me mbështetjen e kursit dhe me mbështetjen e Ministrisë dhe të Harvardit që të kontaktojnë investitorët dhe pastaj të shikojmë qasjet që duhet të prekim apo që duhet të krijojmë dhe ndërtojmë me të gjithë për të mundësuar që ata të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri”.

“Shpresa është që në momentin që kursi dhe trajnimi do të jetë mbyllur, ne në të njëjtën kohë do të kemi material të mjaftueshëm që, pas shtatorit dhe në vijmësi të kemi mundësi të kemi një axhendë specifike të diplomacisë ekonomike me fokus Shqipërinë, me promovim të veçantë të Shqipërisë dhe promovim të veçantë të sektorëve specifikë, ku mund të kemi qoftë investime të huaja, qoftë zgjerime të eksporteve nga Shqipëria, apo vendeve të tjera”, – u shpreh Xhafaj.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?