Rritja e pagave nuk do të aplikohet për muajin maj, Partia e Lirisë: Maskaradë, tallje me administratën
Pagat e muajit maj do kalojnë siç janë pa ndryshimin me ligjin e ri, paçka se Parlamenti ka miratuar ligjin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë në administratën shtetërore. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj sqaroi se kjo bëhet me qëllim deri në përgatitjen e plotë të dokumentacionit dhe për të mos shkaktuar vonesa në paga.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e quan një maskaradë dhe tallje me administratën. Po ashtu ai shton se Ibrahimajn nuk do ta pranonin as për mësuese matematike, jo më për ministre të Financave.
“Maskaradë! Çfarë tallje me ligjin dhe administratën! Rritja e pagës është miratuar me vendim Kuvendi por Qeveria nuk e shpërndan se nuk ka gati përllogaritjet! Ibrahimaj as për mësuese matematike nuk do ta pranonin, jo për Ministre të Financave”, ka shkruar Blushi.