Rritja e rasteve nga Covid-19/Fico: E kishim paralajmëruar, jo faji i qytetarëve
Të mërkurën, për herë të parë rastet e reja nga Covid-19 e kaluan shifrën 1 mijë për 24 orët e fundit dhe kjo rritje e frikshme është paralajmëruar nga autoritet. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Albana Fico, thotë se kjo situatë është parashikuar që do të ndodhte përgjatë festave të fundvitit.
”E kishim paralajmëruar këtë. Në prag të fundvitit, kur folëm për respektimin e masave në atë periudhë, thamë që do të rriten numrat nëse nuk respektohen masat gjatë festave. Sa më shumë raste pozitive të kemi, aq më shumë të shtruar në spital dhe aq më shumë viktima do të kemi”.
Sipas saj, fajin nuk e kanë qytetarët. ”Nuk mund të ketë grumbullime nëpër resorte dhe ne të kthejmë kokën nga ana tjetër. Është kollaj të marrësh masa drastike për të mbyllur çdo gjë. Gjendja psiko-emocionale është marrë në konsideratë për të mos bërë mbyllje drastike. Edhe lejimi i aktiviteteve ekonomike ishte dhe mbetet diçka që duhet të vijojë. Por, leja e dhënë u thye. Unë besoj se është situatë delikate, sidomos kur shikohen numrat e rritur nëpër spitale. Kemi lënë në fuqi disa masa dhe po ndjekim me vëmendje situatën dhe rastet që duken të panatyrshme, që mund të jenë viruse mutante”,-nënvizon më tej Fico për ”A2cnn”.