Rritja e sigurisë, policia takime sensibilizuese me nxënës

Në kuadër të bashkëpunimit mes shkollave dhe Policisë së Shtetit, 35 maturantë të shkollës teknike elektrike “Gjergj Canco” Tiranë, zhvilluan një vizitë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Maturantët u pritën nga drejtues Skëndër Doda, drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit dhe Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike dhe drejtori i Policisë Rrugore, drejtues Mitat Tola. Gjatë takimit Doda i njohu nxënësit me nismën e ndërmarrë nga policia nën moton “Sheh diçka, thuaj diçka”, me qëllimin e vetëm përfshirjen e komunitetit në rritjen e parametrave të sigurisë.

Njëkohësisht nxënësit janë njohur me menaxhimin dhe përpunimin e informacionit që vjen në Sallat e Komandimit, si dhe në numrin 112, aplikacionin “Komisariati Dixhital” apo në adresat e tjera zyrtare në rrjetet sociale të Policisë së Shtetit. Ledi Çepele, specialist për aplikacionin “Komisariati Dixhital”, ka shpjeguar mënyrën e funksionimit të këtij aplikacioni dhe ka bërë të ditura statistikat për 5-mujorin e parë të këtij viti, të raportimeve nga qytetarët, për shkelje të ndryshme të konstatuara. Drejtori i Policisë Rrugore Mitat Tola, gjatë bashkëbisedimit me maturantët, i ka njohur ata me sanksionet që parashikon Kodi Rrugor për shkeljet, kryesisht për shpejtësinë tej normave të lejuara, drejtimin e mjetit në gjendje të dehur apo nën efektin e alkoolit.

Tola i këshilloi të rinjtë që pasi të marrin Lejen e Drejtimit, të shmangin shpejtësinë, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin përherë rripin e sigurimit, të respektojnë përparësinë dhe distancën e sigurisë si dhe të denoncojnë çdo shkelje të Kodit Rrugor. Në fund të vizitës nxënësit vizituan Sallën e Komandimit dhe Drejtimit, si dhe ambiente të tjera të policisë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?