“Rritja e tensioneve në rajon”. Mediu dorëzon një projekt-rezolutë në Kuvend dhe zbulon pesë kërkesat për qeverinë
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe tre deputetë të tjerë dorëzuan këtë të premte në Kuvend një projekt-rezolutë që lidhet me situatën e tensionuar në rajon.
Në një deklaratë për mediat, Mediu tha se kjo projekt-rezolutë do të diskutohet me përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të arrihet një rezolutë e plotë ku përfaqësohen qëndrimet e Parlamentit dhe forcave politike shqiptare, me synimin për të njësuar një qëndrim mbarëshqiptar në raport me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit.
“Siç e kam theksuar edhe më parë është një situatë shqetësuese që na detyron të jemi të gjithë në një zë, në një qëndrim dhe në një frymë bashkëpunimi dhe konsultimi me partnerët tanë ndërkombëtarë. Konkretisht rezoluta thekson se Kuvendi i Shqipërisë, duke ndjekur më vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndër etnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ngjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjve të vet, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga PE-ja, Kongresi Amerikan, Parlamenti Britanik nga disa qeveri të vendeve europiane dhe shumë analistë seriozë në BE dhe SHBA. Një shqetësim i mbështetur në përpjekjet e fundit të republika Sërbska për t’u shkëputur nga Bosnje Hercegovina dhe që minon marrëveshjen e Paqes të nënshkruar në Dejton në viti 19925 me ndërmjetësimin e SHBA-së”, tha kreu i PR-së.
Rezoluta në fjalë përmban 5 pika drejtuar qeverisë shqiptare, ku ndër të tjera i kërkohet që këtë shqetësim ta përcjellë në institucionet ndërkombëtare si NATO, OSBE apo edhe Këshillin e Evropës.
Pesë kërkesat e rezolutës
1-Të ngarkojë qeverinë e Shqipërisë në këshillim me partnerat tanë që të adresojë këtë problematikë në NATO
2- Përmes delegacioneve të veta në NATO, OSBE, KIE, dhe institucione të tjera ta shpërndajnë këtë rezolutë dhe ta bëjë objekt debati.
3- I kërkon qeverisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB të përcaktojë objektivat për rajonin dhe Kosovën.
4- Të shtohet mbështetja për integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare duke shpjeguar se lënia e këtij shteti jashtë ekspozon atë dhe rajonin përballë kërcënimeve ruso-serbe dhe destabilizimit të Ballkanit
5-Ka ardhur koha të zhvillohet një forum ndërparlamentar Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

