Rritja ekonomike në 4%? Debate te “Ekonomia”

Komisioni i Ekonomisë u përfshi nga diskutimet në lidhje me parashikimin për të ardhurat për vitin e ardhshëm si dhe për nivelin e rritjes ekonomike. Deputetja, Blerina Gjylameti, theksoi se pritshmëritë nga lufta ndaj informalitetit dhe miradministrimi mbeten shumë të larta. Por për ministren Denaj nga inspektimet është konstatuar se informaliteti rezulton nga 35%-40 %. Ndër të tjera Denaj propozoi që rivlerësimi i banesave të jetë 3%.

Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm ka shkaktuar diskutime në mbledhjen e Komisionit ku u diskutuan të ardhurat për projektbuxhetin 2020.

Deputetët u treguan pesimistë në lidhje me nivelin 4% duke marrë shkas nga situata e këtij viti ku rritja ekonomike pritet të mos e kalojë 3%.

Por Ministria e Financave e ka shpjeguar këtë situatë në këtë mënyrë.

“Është i njëjti trend me rritjen e viteve të fundit. Ju do të thoni po si ka mundësi që 2019 është më poshtë? Është e vërtetë që është më poshtë, por është pothuajse terësisht për faktorë specifikë, të luhatshëm dhe njëkohshëm që është energjia elektrike veçanërisht krahasuar me vjet që ka qenë një vit super i mirë, këtë vit ka qenë pothuajse terësisht e kundërta”.

Deputetët e maxhorancës i kanë kërkuar shpjegime Ministres në lidhje me pritshmëritë për të ardhurat për 2020.

Sipas deputetes, Blerina Gjylameti, rritja e të ardhurave nuk mund të bazohet vetëm në miradministrim dhe në luftë ndaj informalitetit.

Gjylameti: Të themi që do të kemi një përmirësim me 8.1% duke përmirësuar administrimin fiskal, duke nxitur 1,2,3 që të mos i përsëris, unë dua të di se çfarë ndryshojmë?

Por ministrja e Financave deklaron se rritja e të ardhurave do të lidhet direkt me fiskalizimin dhe luftën ndaj informalitetit.

Denaj: Rezultatet e këtij viti me të gjithë format dhe mundësitë e bashkëpunimit që kemi pasur ndërinstitucional ku konstatimi ynë si në informalitetin në biznes ashtu dhe në raport me punësimin ka konstatuar në një masë 35-40%.

Ministrja e Financave prezantoi në Komision amendamentin për rivlerësimin e pasurive për të cilin kërkoi uljen në nivelin 3%.

Ora News - Rritja ekonomike në 4%? Debate te "Ekonomia"

SHKARKO APP