Rritja me 4 herë e vizitorëve të huaj, Veliaj me guidat turistike: Piramida do jetë atraksioni më i kërkuar

Vitet e fundit, Tirana është kthyer në një qytet që ka njohur një katërfishim të numrit të turistëve të huaj, duke u kthyer në një aktor të rëndësishëm të industrisë së turizmit. Në lidhje me këtë lajm të mirë jo vetëm për ekonominë e qytetit, por edhe për ekonominë e Shqipërisë, Kryetari Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me guidat turistike në kryeqytet, me të cilët theksoi se ky “boom” turistësh ka ardhur pas investimeve dhe transformimit që ka përjetuar Tirana, ku veçoi zonat më ikonike të saj, si Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri dhe Kalaja e Tiranës.

“Unë besoj se të paktën për pjesën e Tiranës qendrore, ia ka vlejtur mundimi dhe bashkëpunimi që kemi pasur. Kur kujtoj që, sidomos në vitin e kaluar kur kemi pasur edhe titujt Kryeqyteti Europian i Rinisë, apo këtë vit ai i Sportit, e kam pasur sfidë të hyj e të dal nga Bashkia prej grupeve të turistëve. Jam ndierë sikur jetoja në Babel, kur dëgjoja çfarë gjuhe fliste një grup dhe nuk e fliste grupi tjetër. Në këtë sens, unë besoj që këto janë ditët më të mira të turizmit në Tiranë. Pra, me gjithë problematikat që kemi, më mirë se kaq nuk ka qenë përpara dhe nuk ka qenë kurrë”,- tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës renditi disa nga atraksionet kryesore turistike ku është ndërhyrë sëfundmi, ndërsa veçoi Piramidën, për të cilën tha se shumë shpejt do jetë në 3 pikat më të vizituara të Tiranës. “Nuk besoj ka kaluar një vit që s’kemi shtuar një stacion të ri ku vërtet ia vlen të çosh turistë. Filluam me “Shtëpinë e gjetheve”, vazhduam me “Pazarin e Ri”, me Kalanë e Tiranës dhe janë bërë disa të quajtura “tourist traps”. Jam i bindur që Piramida do jetë atraksioni, në mos vendi më i instagramuar, të paktën tek tre më të kërkuarit nga turistët. Ai është një ballkon 360 gradë i Tiranës,” deklaroi ai.

Kryebashkiaku bëri më dije se dy stacionet e reja për t’u vizituar nga turistët që do shtohen shumë shpejt janë “Sarajet” që është shpronësuar nga Bashkia dhe do të kthehet në Muzeun Etnografik të Tiranës dhe Shtëpia e Libohovitëve. Ndërkohë, ai sqaroi më tej se ka filluar puna për shtëpinë “Dritëro Agolli”, siç është bërë edhe te “Shtëpia e gjetheve” apo te shtëpia e Ismail Kadaresë.

Për destinacionet më të largëta nga qendra, Veliaj e vuri theksin te pedonaliteti. “Te “Bulevardi i Ri” është punuar që në fillim për më shumë hapësirë për pedonalitet dhe ato që quhen “linear parks”. Në disa raste të tjera na është dashur të bëjmë një lloj kompensimi në urbanistikë, si tek Bulevardi “Zogu I”, një tjetër rrugë që vizitohet shumë, ku hoqëm gjithë parkimin”, sqaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Për sa i përket autobusëve dhe terminaleve, ai tha se tashmë ka mbaruar terminali lindor, ndërsa te “Kthesa e Kamzës” do fillojnë punimet shumë shpejt për terminalin e ri perëndimor. “Jemi duke shqyrtuar mundësinë që të kthejmë sheshin “Nënë Tereza” në një parkim nëntokësor, i cili të jetë ekskluziv vetëm për autobusët. Ndërkohë jemi duke menduar që xhepin e parkimit që fituam te Garda, që ta përshtatim për autobusë dhe ta kthejmë në stacion, derisa të bëjmë një zgjidhje nëntokë në Sheshin “Nënë Tereza”. Duhet të pranojmë që kemi bërë një revolucion me transportin e taksive, ku 60% janë elektrike. Impakti i parë kur vjen në Rinas, apo kur lëviz në Tiranë me një mjet ekologjik, është një publicitet i mirë për qytetin”,-nënvizoi Veliaj. Në përfundim të fjalës së tij, Kryebashkiaku i Tiranës njoftoi se Bashkia sapo ka miratuar një investim për kthimin e 80 stacioneve të autobusëve në stacione elektronike dhe aplikimin e biletimit elektronik.

Në vitin 2022, Tirana ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë, me mundësi të pafundme për të rinjtë, përmes 1000 aktiviteteve, për të vijuar këtë vit, si Qyteti Evropian i Sportit, gjë që do të sjellë akoma më shumë tërheqje e atraksion për turistët e apasionuar pas aktiviteteve sportive.

SHKARKO APP