Rritje e frikshme e Covid-19 në Korçë, vetizolohen qindra persona
Këtë të martë Ministria e Shëndetësisë, bëri me dije se vatra më e re e Covid-19 është Korça dhe rritja e të prekurëve është e lartë, kjo për rastet e Shqipërisë. Vendi i serenatave po përjeton ditë të vështira. Përveç rasteve të konstatuara pozitive me Covid-19, një numër i konsiderueshëm personash tani janë në karantinë për shkak të kontakteve që mund të kenë pasur me personat e infektuar.
Kadastra e Korçës është institucioni lokal më i prekur, ku 53 punonjësit e saj janë futur në karantinë, pasi nga personat e infektuar së fundmi, tre prej tyre punonin në këtë institucion. Mësohet edhe se pjesa më e madhe e punonjësve dhe shërbimit mjekësor në Doganën e Tushemishtit janë futur në karantinim, pasi një prej të prekurve më parë ishte punonjës në këtë pikë doganore.
Thirrja numër një e autoritetit lokal është që qytetarët të shmangin panikun. Mësohet se në Korçë autoritetet kanë filluar menjëherë hetimin epidemiologjik të rasteve të konstatuara me koronavirus, ndërsa është bërë edhe dezinfektimi i ambienteve ku kanë shërbyer dhe banuar personat e prekur.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive
• Tiranë 72 qytetarë
• Durrës 8 qytetarë
• Lushnje 4 qytetarë
• Elbasan 2 qytetarë
• Fier 12 qytetarë
• Rrogozhinë 2 qytetarë
• Kavajë 4 qytetarë
• Korcë 9 qytetarë
• Vlorë 4 qytetarë
• Shkodër 2 qytetarë
• Lezhe 1 qytetarë
• Berat 1 qytetarë
• Has 2 qytetarë