Rritje ekonomike 18%? PD: Propagandë, njerëzit janë më të varfër
Zv/kryeministri Arben Ahmetaj, sot tha se ekonomia është rritur me 18% në tremujorin e dytë dhe sipas tij kjo shënon rritjen më të lartë në rajon. Nënkryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, thotë se e gjitha është propagandë dhe nuk është shifër reale.
”Të thuash jemi rritur 17.9% kur pagat janë ulur si rezultat i efekteve negative në ekonomi të pandemisë dhe keq qeverisjes është propagandë. Ndoshta 17.9% jemi rritur, por të marrin parasysh paratë që ju vidhen shqiptarëve çdo dite nga koncesionet, PPP, korrupsioni në administratën publike, etj”.
Postimi i plotë
Rritje ekonomike 17.9% në tre mujorin e dytë të 2021!!! Lajm bombastik për realitetin shqiptar. Shifra është impresionuese, por padyshim shumë larg të vërtetës së hidhur të tavolinave shqiptare. Të thuash jemi rritur 17.9% kur shqiptarët kërkojnë të largohen çdo ditë është propagandë. Të thuash jemi rritur 17.9% kur papunësia vret familjet shqiptare çdo ditë e më shumë është propagandë.
Të thuash jemi rritur 17.9% kur shqiptarët konsumojnë gjithmonë e më pak nga shtrenjtimi i çmimeve është propagandë. Të thuash jemi rritur 17.9% kur pagat janë ulur si rezultat i efekteve negative në ekonomi të pandemisë dhe keq qeverisjes është propagandë.
Ndoshta 17.9% jemi rritur, por të marrin parasysh paratë që ju vidhen shqiptarëve çdo dite nga koncesionet, PPP, korrupsioni në administratën publike, etj. Pasuria e një grushti njerëzish patjetër që ndikon në rritjen ekonomike por jo sepse shqiptarët janë më mirë. Sot, ata janë më të varfër se dje. 17.9% thjesht një propaganda.