Rritje ekonomike 18%? Vasili: Shitja e sapunit për djathë. Qeveria as çmimin e bukës nuk mbron
Zv/kryeministri Arben Ahmetaj, sot tha se ekonomia është rritur me 18% në tremujorin e dytë dhe sipas tij kjo shënon rritjen më të lartë në rajon. Ndryshe mendon LSI-ja. Nënkryetari dhe deputeti Petrit Vasili, thotë se kjo rritje është fiks si shitja e sapunit për djathë.
Po ashtu Vasili nënvizon përmes një postimi në rrjetin social facebook, se shqiptarët janë dëshpërimisht më të varfër, dhe se qeveria nuk mbron dot as çmimin e bukës që vijon të rritet.
”As rritje reale dhe as të ardhura më shumë në xhepin e shqiptarëve pra zero efekt mbi hallet kritike me të cilat përballet familja shqiptare. Kjo propagandë synon vetëm që shqiptarët të hanë sapunin për djathë. Ekonomia reale është në gjendje katastrofike”,-shkruan ndër të tjera Vasili.
Postimi i plotë
Përrallat imorale me rritje ekonomike 18%, ose shitja e sapunit për djathë! Qeveria lëshoi sot si përherë shashkën propagandistike të radhës, pra rritjen ekonomike medemek 18%. Për ekspertët e ekonomisë ishte shumë e lehtë për ta çmontuar një përrallë të tillë. Edhe qytetari i zakonshëm llogaritë i bën vetë dhe shumë kollaj bile.
Rënia me afërsisht 12% për shkak të mbylljes nga Covid, dhjetëra milion euro të shpenzuara për kurim nga qytetarët, paratë e rindërtimit, borxhi prej 1.3 miliard euro i marrë nga qeveria, shtojmë këtu edhe ndërtimet ku lloj-lloj parash që vijnë erë futen në to, të gjitha së bashku tregojnë që s’bëhet fjalë për rritje ekonomike reale dhe kjo është propagandë e pastër dhe asgjë më shumë se kaq.
Realisht pra s’ka ndodhur asgjë thjesht propagandë imorale. As rritje reale dhe as të ardhura më shumë në xhepin e shqiptarëve, pra zero efekt mbi hallet kritike me të cilat përballet familja shqiptare. Kjo propagandë synon vetëm që shqiptarët të hanë sapunin për djathë. Ekonomia reale është në gjendje katastrofike.
Shqiptaret janë dëshpërimisht më të varfër. As çmimin e bukës, të bukës së gojes pra, kjo qeveri nuk jua mbron dot dhe çmimi veçse rritet. Edhe kafën të vetmen gjë kaq modeste, që u ka mbetur shqiptarëve jua shtrenjtuan. Në kohë pandemie shqiptarët shpenzuan mbi 150 milion euro, ndërsa qeveria rimburson 250 mijë euro, kjo është e vërteta.
Mijëra familje, që edhe në këtë moment përballen me pandeminë, vijojnë të shpenzojnë qindra milionë lekë në luftën për jetën dhe shëndetin. 18% rritje ishte vetëm propagandë imorale, që kërkon të shesë sapunin për djathë.