Rrokaj: Ne duam një Shqipëri që i përket rinisë, një Shqipëri pa krim dhe pa drogë
Deputeti i LSI-së në Qarkun Vlorë, Shezai Rrokaj në takimin me strukturat e LRI-së në zonën e tij elektorale deklaroi se e vetmja gjë që kërkon Lëvizja Socialiste për Integrim dhe rinia shqiptare, është një Shqipëri pa krim dhe drogë, në të cilën e ka kthyer mazhoranca aktuale nën drejtimin e Edi Ramës.
Fjala e plotë e deputetit Shezai Rrokaj
E pata menduar gjatë fushatës që, nëse do të kishte një ringritje në Vlorë, kjo do të fillonte pikërisht nga LRI-a. Jam i entuziazmuar nga puna që keni bërë. Gjithë Vlora është tempulli i historisë, sepse në Vlorë bashkohen tre qendra të rëndësishme që askush nuk i ka vënë në dukje, Oriku i Jul Cezarit, Kanina e Mesjetës dhe vendi i Pavarësisë dhe lufta Nacionalçlirimtare. Kush më mirë se sa Vlora mund të bashkojë pikërisht këtë identitet kombëtar që ka veni ynë. Dhe duhet të jemi krenarë për këtë gjë dhe si jemi krenarë? Unë mora një informacion që shumica këtu janë studentë. Duhet të kuptojmë një gjë shumë të thjeshtë: Ne e dimë që vendi ynë është i varfër, por vendi ynë ka një pasuri shumë të madhe që është rinia, dhe a e dini se çfarë po ndodh me vendin tonë?
Po ndodh kjo që, ne po e largojmë pjesën më vitale të kombit tonë duke e kthyer Shqipërinë nga një vend me rini të madhe në një vend me pleqëri të madhe. Ne kemi respekt për pleqtë por ne duam një Shqipërisë të rinisë dhe nj Shqipëri e rinisë është një Shqipëri që nuk ka, siç japin statistikat e sotme, 50 për qind e forcave të punës janë me arsim 8-vjeçar. Pse? Sepse pjesa më vitale e rinisë ka ikur. Ju keni zgjedhur të rrini këtu pikërisht për t’i dhënë kuptim identitetit tuaj, për t’i dhënë kuptim Vlorës sonë dhe për t’i dhënë kuptim Shqipërisë sonë, sepse Shqipëria mund dhe duhet të bëhet prej jush, prej nesh që aspirojmë në një model evropian të një Shqipërie evropiane, jashtë krimit, jashtë drogës, jashtë blerjes së votës dhe këtë do ta bëni. Po nuk e bëtë ju, nuk e bën dot askush. Prandaj, ne duhet të zgjerohemi më tej. Pra, ne duam një ekip të të gjithë atyre që aspirojnë me të vërtetë për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për pjesën e saj më vitale, për zemrën e saj, për aortën e saj që jeni ju, LRI-a. Ne duhet t’i kërkojmë qeverisë 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për Arsimin. Pse nuk e bën? Pse nuk e jep? E ka premtuar që kur ishim edhe ne në qeveri, kur në 2014-n në Strategjinë e Arsimit ka thënë: Në 2018-, arsimi do të ketë 5 për qind të PBB-së.
Pse Edi Rama shpenzon vetëm 3 për qind të PBB-së që arsimi të jetë poshtë edhe më poshtë? Ne nuk duhet t’i lejojmë këto anadollakë që stisen gjithandej, që shtiren kudo që duan arsimin, sepse mendojnë se duke i dhënë 1 mijë euro studentëve ekslelentë të Mësuesisë po e ndreqin Shqipërinë. Gabim fatal për një Kryeministër, i cili nuk e ka haberin as ai e as ministrja e tij nga arsimi. Pse? Sepse Finlanda me të cilin ata krahasohen shpenzojnë 7 për qind të PBB-së për arsimin. Sepse Finlanda merr 10 për qind të gjimnazistëve më të mirë për mësues. Çfarë studentësh të mirë do të kemi ne, në qoftë se nuk do të kemi nxënës të mirë? A e kuptoni se ku ka rënë shkolla? Ka rënë pikërisht aty, sepse ka rënë cilësia në mësimdhënie. Ka rënë cilësia e nxënësve tanë. Dhe ne nuk mund të themi që nuk kemi nxënës ekselentë kur në të vërtetë ne jemi fajtorë për mënyrën se si e kemi edukuar atë. Pra, këtu duhet të fillojë ndërgjegjësimi juaj. Ju nuk keni nevojë për mëshirë. Në një vend që ka një politikë të keqe, qytetarët kanë dy zgjidhje: Ose ndërrojnë vend, ose ndërrojnë politikën e keqe. Ne vendin nuk e ndërrojmë. Do rrimë këtu. Ne do ndërrojmë politikën e keqe.
KOHA JONË SONDAZH

