Rruga e Arbrit, Balluku inspekton Urën e Vashës (VIDEO)
Gjatë vizitës në qarkun e Dibrës, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar punimet që po kryhen në Rrugën e Arbrit, duke u ndalur në kantierin e urës së Vashës, e cila lidh tunelet T5 dhe T6.
Rruga e Arbrit dhe gjithë veprat e artit që po ndërtohet në këtë segment po kryhen për herë të parë të gjitha nga një kompani shqiptare. “Gjoka Konstruksion” është kompania që ka marrë përsipër realizimin e projektit duke garantuar ndërtimin e një rruge të rëndësishme me të gjitha standardet ndërkombëtare. Gjatë vizitës, ministrja u informua nga Administratori i “Gjoka Konstruksion”, inxhinieri Rrok Gjoka mbi ecurinë e punimeve dhe detajet teknike të projektit të këtij segmenti të rëndësishëm për vendin.
Ministrja Balluku ka parë nga afër ecurinë e punimeve dhe është njohur me volumet e punës që janë kryer deri tani. Vepra ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare të betonimit dhe hidroizolimit. Ritmet e mira të ecurisë së punës premtojnë për një përfundim të rrugës përpara afatit të parashikuar në kontratë.
“Rruga e Arbrit është një vepër shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonës. Gjëja më e rëndësishme është që duhet të përfundojë në kohë, duhet të përfundojë me cilësi. Konçensionari do të ketë vetë mirëmbajtjen e rrugës për 10 vjet, kështu që cilësia është absolutisht një nga kërkesat kryesore, por që dhe juve do tju duhet për vazhdimësinë. Shpresojmë të mbarojmë përpara afatit për tja dhënë shqiptarëve këtë arterie jashtëzakonisht të rëndësishme sa më parë në përdorim” është shprehur ministrja Balluku .
Ura e Vashës lidh dy tunelet T5 dhe T6 në dy shpatet e malit. Ura përbëhet nga konstruksion metalik në një hark rihter. Ka 27 kolona paralel në të dya anët e urës, të cilat ngrihen drejt lart. Ura ka një gjatësi hapësirë drite 160 metra, pjesa e kalueshme mbi konstruksion metalik është 220 metra, ndërkohë që vetë ura është 242 metra.
E gjithë pjesa e rrugës së Arbrit që ka mbetur për t’u ndërtuar është 54 km, në të cilën konçensionari ka realizuar më shumë se 28% të punimeve.
Në bazë të kontratës rruga duhet të përfundojë brenda 44 muajsh, por me volumin e kryer dhe me angazhimin e konçensionarit pritet që rruga të përfundojë më herët.
VIDEO/Vizita ministres Balluku në punimet e kompanisë Gjoka Konstruksion
https://www.facebook.com/kohajone/videos/374563896427220/