Rruga në Patos nuk ekziston në hartë, banorët: Nuk ka fonde, duhet të investojmë vetë
Kjo është rruga e fshatit Dukas deri në Patos. Për kryebashkiaken Rajmonda Balili, ky segment lidhës nuk ekziston në hartën e rrugëve të territorit që ajo menaxhon.
“As kanë marrë masa për të investuar një herë në këtë rrugë, po kryetarja e bashkisë tha se kjo rrugë nuk është në hartë. Si nuk qenka në hartë,” thotë një banor.
“Tërë ato shkresa u futën në sirtar dhe nuk u bënë realitet. Po të ishte vënë dorë që vjet, kur unë e kërkova këtë rrugë nuk do kishte arritur në këtë gjendje,” thotë një banor tjetër.
Banorët e kanë hapur dhe mirëmbajtur vetë ketë rrugë por tani nuk e përballojnë më financiarisht e ajo po rrënohet nga rrëshqitja.
“Kemi kërkuar ndihmë te bashkia, nuk është përgjigjur njeri,” thotë banori.
Pas reshjeve të fundit, rruga e degraduar po kthehet në rrezik për këta banorë.
“Makina me fëmijë shkau nga rruga, iku me gjithë makinë poshtë dhe ka shumë probleme të tjera,” thotë banori.
“Nuk kemi fonde, jo po duhet të investoni edhe ju edhe ne,” shprehet banori
Në këtë fshat jetojnë dhjetëra familje, të cilat presin një ndërhyrje që të paktën të mos izolohen tërësisht. /Ora News