Rruga që bëri namin në rrjet, kryebashkiaku: Në përgjigje të atyre që jetojnë në Instagram
Nga: Lefter Alla, kryebashkiak i Bulqizës
Në përgjigje të atyre që jetojnë në Instagram
Nga pasditja e djeshme (e enjte, 17 nëntor), kam ndjekur me shumë kureshtje reagimet pafund që mbushën rrjetet sociale rreth një postimi në faqen time për bashkëpunimin me banorë të lagjes Zogu në Dragu për të realizuar një rrugë modeste e të paprekur asnjëherë më parë.
Sigurisht që detyra e një kryebashkiaku është t’u gjendet pranë bashkëqytetarëve të tij në çdo nevojë që kanë, e vogël apo e madhe qoftë, qofshin shërbime të thjeshta publike, apo infrastrukturë rrugore, furnizim me ujë, shërbime shëndetësore, investime në arsim, në bujqësi e gjithçka tjetër. E padyshim, ju siguroj se çdo kryebashkiak, qoftë edhe për ambicie apo ego personale, do të dëshironte të bënte më të mirën në të gjitha këto, duke e kthyer bashkinë e tij në vendin më të zhvilluar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e në mbarë botën.
Pas gjithë gazit e haresë së rrjetit, ku në jo pak raste edhe vetë qesha me nivelin e mundshëm të delirit të njerëzve, mendova se duhen thënë dy tre fjalë për të gjithë ata që ‘jetojnë në Instagram’. Që në krye të herës e them hapur se njerëzit duhet të zbresin në realitet, me këmbë në tokë, të njohin vendin ku jetojnë, mundësitë dhe pamundësitë e tij, të të afërmve të tyre e të mos fshihen në prapaskenën e telefonëve celularë që mbajnë në duar. Duam apo s’duam, pa përjashtuar edhe veten time nga përgjegjësia që kam e mund të kem pasur ndër vite, Shqipëria jonë është kjo, me qytete që lënë për të dëshiruar, me fshatra të harruar, me rrugë të pashtruara, me probleme pafund në shëndetësi, arsim, kulturë e kudo tjetër.
Janë pafund zonat e thella malore të cilat s’kanë pasur asnjëherë fatin të njohin dorën dhe investimet e shtetit, e aq më tepër, banorët e tyre nuk dinë se ç’është instagrami, facebook-u, apo rrjetet e tjera sociale. Ata nuk e njohin kinemanë, s’e dinë s’e ç’është jeta e natës. Nuk e dinë se fundjava mund të shërbejë për shëtitje. Ata nuk e dinë jetën ‘mondane’ të atyre që komentojnë, e që më së shumti të vetmen formë argëtimi kanë këtë moment kur shkruajnë diçka, qoftë edhe për të qetësuar nervat e shtendosur nga paaftësitë e pamundësitë e tyre për të qenë ata që duan.
Po, zotërinj, po! Unë bashkëpunova me banorët e Zogës në Dragu për ta shtruar atë rrugë, qoftë edhe për aq sa u bë. E kam bërë edhe më përpara të njëjtën gjë me rrugët në Lepurakë, Dushaj, Lladomericë, Kodër e Danit , Boçevë, Sopot etj., diku me asfalt e diku tjetër me çakull.
Më janë dashur vetëm dy fadroma të Bashkisë Bulqizë së trashëguar si mos më keq nga 18 vitet e drejtuesve pararendës, që në dy vite të hap të gjitha rrugët e të gjitha fshatrave në të gjitha njësitë administrative, në Martanesh, Fushë-Bulqizë, Zerqan, Shupenzë, Gjoricë, Ostren e Trebisht. Me vetëm dy fadroma u tregova banorëve anekënd Bulqizës, edhe në fshatrat më të thellë, se janë pjesë e kësaj Bashkie, se ekziston një pushtet vendor drejtuesit e së cilit nuk shkojnë atje vetëm në fushata elektorale dhe u ringjalla besimin për të shpresuar tek shteti, të cilin nuk e njihnin.
Po, zotërinj, po! Me vetëm dy fadroma që kanë punuar pa pushim në shtatë ditë të javës bëmë atë që s’ishte bërë në pothuajse tre dekada nga paraardhësit e mi në detyrë. Me vetëm dy fadroma të bashkisë arritëm tek të gjithë, duke vlerësuar njeriun e dinjitetin e tij, e duke përçmuar çdo praktikë të shëmtuar që ndër vite i ka kategorizuar atë në të nënës e të njerkës.
Jo, zotërinj, jo! Ju nuk e njihni realitetin e fshatit shqiptar, ndaj edhe flisni. Ju nuk e dini keqardhjen në vend të gëzimit që ne ndiejmë shpesh pas çdo investimi që bëjmë kur shohim lumturinë, harenë e lotët e banorëve. Është një trishtim i pashpjegueshëm për një kryebashkiak kur shikon njerëz që në vitin 2021 këndojnë e vallëzojnë qoftë edhe për një rrugë të shtruar pas shumë dekadash, e që në syrin tuaj, të ju banorëve të Instagramit është e pa imagjinueshme. Ata i gëzohen kësaj rruge se nuk e kanë pasur asnjëherë, teksa të tjerë jetojnë të hipnotizuar brenda botës së tyre Instagram.
Jo, zotërinj, jo! Ju nuk i dini mundësitë që ofrojnë buxhetet e bashkive të vogla. E pas çdo përpjekje për të bërë diçka, sërish komentoni e komentoni të hipnotizuar brenda botës tuaj në Instagram.
Po, zotërinj, po! Unë përsëri do të shtroj rrugë me asfalt, çakull e beton. Do të vazhdoj sërish njësoj siç kam bërë deri më sot me të gjitha rrugët që kam hapur, me tetë urat e telit pasarelë që për shumë nga ju mund të ngjallin gaz e hare; njësoj siç kam bërë me ujësjellësit në qytet, Gjoricë e Martanesh; njësoj siç kam bërë me rreth 200 km kanale ujitëse në mbarë Bulqizën; njësoj si në rastin e kanalizimeve që po kryhen për ujërat e zeza në qytet; njësoj si me kompleksin e punëtorëve që po rikonstruktohet nga fillimi për t’u mundësuar një jetesë të denjë 40 familjeve që kanë jetuar në kushte mizërie.
Po, zotërinj, po! Unë do të vazhdoj të punoj fort për legalizimin e pronave, një plagë e banorëve të Bulqizës, por jo vetëm. Do të vazhdoj me investimet në infrastrukturën shëndetësore e arsimore. Do të vazhdoj, se unë në fund të ditës, mendoj përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së banorëve të Bulqizës, kudo që ata janë, pa i parë me ngjyra e nuanca.
Po, zotërinj, po! Nëse problemi me mua qenka se punoj me dhe për banorët e bashkisë që drejtoj, unë do ta bëj këtë përsëri, do të vazhdoj të ndaj gjithçka bëj këtu në Bulqizën tonë, duke bërë transparente çdo investim, duke iu mësuar njerëzve të edukohen me kulturën e llogaridhënies së pushtetarit, duke u përpjekur të rikthej tek ata atë besimin e humbur tek demokracia përfaqësuese.
E ju, padyshim që keni të drejtën tuaj të qeshni, gëzoheni, komentoni e të provoni kufijtë e dëlirit brenda asaj botës tuaj të Instagramit, e të vazhdoni me postimet tuaja të kaluara përmes sitës së filtrave të pafund të aplikacioneve.
Gjykimin dhe vlerësimin e punës time e pres nga banorët e këtyre fshatrave, e jo nga ata që jetojnë në Instagram.