Rrugët ”blindohen” me radarë! Patrullat civile të pranishme kudo
Për shoferët që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit, dhe janë shkaktarë për aksidentet tragjike që vijojnë, tashmë do të përballen me radarët kudo që të ecin, kjo të paktën në kryeqytet.
Policia e Tiranës bën me dije se patrullat civile do të vendosen në terren dhe do të jenë të pajisur me radarë për të monitoruar dhe regjistruar tejkalimet e shpejtësisë. Rastet e tejkalimit të shpejtësisë në kryeqytet janë të shpeshta, duke u bërë burim aksidentesh deri në humbje jete.
”Me kujdesin më të madh për sigurinë e të gjithëve, ju njoftojmë se tani në rrugët e qytetit tonë patrullat civile janë të pranishme dhe të pajisura me radarë për të monitoruar dhe regjistruar çdo tejkalim të shpejtësisë. Nuk ka më vend për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor!
Autopatrullat tona civile janë sytë që nuk fiksohen, veshët që nuk mbyllen, duke garantuar zbatimin e ligjit për një udhëtim të sigurt për të gjithë. Kujdes dhe përgjegjshmëri, kjo është mënyra si mbrojmë jetët në rrugët tona. Le të punojmë së bashku për një Tiranë më të sigurt”,-njofton policia.