Rrugët e Vlorës në harresë, banorët: Duhet të bëhen zgjedhjet një herë në gjashtë muaj që të bëjnë ndonjë rrugë këta
“Vajti kaq vjet kjo rrugë, 25 vite që nuk është vënë dorë në të. Po mirë ishte që të rregullohet tamam, jo të hedhin ëndrra,” kështu shprehet një banor.
25 milionë lekë do të shpenzohen nga Bashkia e Vlorës e drejtuar nga Dritan Leli për rehabilitimin e 4 rrugëve në qytet, kryesisht me mbushje gropash dhe hedhje çakulli.
Qytetarët shprehen të shqetësuar, se gjithçka po bëhet për shkak të fushatës.
“Kur vjen fushata ata thonë do t’i bëjmë të gjitha. Fushata është gënjeshtër 100% nga të gjithë,” thotë një banor tjetër.
“Për sy e faqe. E bëjnë për politikë, voto ti që të ushqehem unë,” shprehet një banore.
Ata flasin për cilësinë e dobët të punimeve të kryera deri më tani.
“Këta zhavorr po i hedhin, prandaj janë prishur të gjitha rrugët këtu, se i hedhin zhavorr. Është nga ai zhavorri që i bie një vesë shi edhe prishet,” thotë banori.
Qytetarët janë dëshmitarë, se rrugët janë shtruar disa herë, e përsëri janë prishur.
“Po, por sa herë ato rregullohen, aq herë dhe prishen,” shprehet banorja.
Nuk janë entuziastë, sepse janë të bindur se situata e rrugëve nuk do të ndryshojë.
Duhet të bëhen zgjedhjet një herë në gjashtë muaj që të bëjnë ndonjë rrugë këta, se nuk është asfalt për rrugën, është asfalt për fushatën,” thotë banori. /Ora News