Rrumbullaku: Sekuestruam pajisje që muxhahedinët tentuan t’i digjnin. Ata bënë rezistencë kur zbuluam serverat
Kreu i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se gjatë operacionit në kampin e MEK, janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike të cilat po tentoheshin të digjeshin nga ana e drejtuesve të organizatës së muxhahedinëve.
Në kampin MEK janë 127 objekte në një territor 38-40 ha. Ai thotë se në 17 objekte janë gjetur salla serverësh dhe pajisje kompjuterike. Në këtë moment ka nisur dhe rezistenca.
“Janë sekuestruar 96 njësi komputerike, 46 laptopë, karta memorie që tentuan të asgjësoheshin me djegie nga anëtarët e MEK. Gjatë kohës që kryenim veprimet, drejtues të MEK më kanë bërë me dije se në qendrën e tyre të emergjencës ndodhej një banor që kishte ndërruar jetë. Ju sigurojmë që pas daljes së ekspertizës mjekoligjore do të nxirrni konkluzionin tuaj. Vendimi i GJKKO vjen si pasojë e veprimeve që bien ndesh me marrëveshjen e firmosur nga MEK me qeverinë shqiptare’‘,-tha Rrumbullaku.