Rrumbullaku vizitë pune në Malin e Zi, firmos disa marrëveshje: Të gatshëm të luftojmë krimin ndërkufitar
Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, këtë të mërkurë ka zhvilluar një vizitë pune në Policinë e Malit të Zi. Gjatë takimit u nënshkrua protokolli ndërmjet Drejtorisë së Policisë së Malit tё Zi dhe Drejtorisë së Policisë së Shqipërisë, për bashkëpunimin gjatë sezonit turistik, për vitin 2023.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të protokollit, Rrumbullaku vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet dy policive dhe gatishmërinë për forcimin e këtij bashkëpunimi edhe gjatë sezonit turistik, ashtu siç është bashkëpunuar edhe në fusha me interes të përbashkët.
“Angazhimi i oficerёve të Policisë shqiptare në bregdetin malazez do të kontribuojë ndjeshëm, jo vetëm që qytetarët shqiptarë të ndihen më të sigurtë, por edhe malazezët dhe qytetarët e vendeve të tjera që qëndrojnë në Mal të Zi gjatë sezonit turistik”, u shpreh ai.
Nikola Terzić shprehu kënaqësinë e veçantë për aktivitetet e realizuara me sukses në luftën kundër kontrabandës së drogës, që janë implementuar me sukses në periudhat e mёparshme. “Policia malazeze mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, sepse vetëm me veprim të përbashkët dhe me shkëmbim të informacionit operativ, lufta kundër grupeve të organizuara kriminale mund të arrijë rezultate konkrete”, u shpreh ai.
Dy drejtorët ranë dakord se shërbimet e zbatimit të ligjit të Malit të Zi dhe të Shqipërisë janë të gatshme për të përballuar të gjitha format e krimit të organizuar dhe krimit ndërkufitar. Pas nënshkrimit të protokollit për punën gjatë sezonit turistik, anëtarët e të dyja delegacioneve policore patën një drekë pune me Ministrin e Brendshёm Filip Adzić.