Ruçi mesazh për “Ditën e Drejtësisë”: Reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e papengueshme
Në kuadër të “Ditës së Drejtësisë”, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Ruçi thekson se gjatë mandatit të dytë qeverisës të PS është dëshmuar se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e papengueshme.
“Dita Kombëtare e Drejtësisë është ditë reflektimi, jo vetëm për sistemin e drejtësisë, por për të gjithë ligjvënësit shqiptarë, madje për të gjithë qytetarët. Këtë vit, kjo Ditë kujtohet me një bilanc të shtuar në zbatimin e reformës në drejtësi, avancimin e vetting-ut dhe ngritjen e institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit. Gjatë kësaj legjislature dëshmuam se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe e papengueshme.
Si Kryetar i Kuvendit, ndjehem krenar që Kuvendi përmbushi angazhimin e marrë para qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtare dhe Gjykata Kushtetuese u bë funksionale brenda vitit 2020, ndërsa Gjykata e Lartë po rindërtohet dhe plotësohet me ritme të shpejta.
Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë po me këtë vizion dhe po me këtë vendosmëri për të kontribuar në misionin për ndërtimin e një sistemi drejtësie, busulla e të cilit është shteti i së drejtës, mbrojtja e interesit publik dhe e të drejtave e lirive të qytetarëve”, shkruan Ruçi.