Ruçi përshëndet pelegrinët në Malin e Tomorit: Atdheu, toleranca dhe edukimi, kryevlerat e trashëgimisë së bektashijve
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar pelegrinët në Malin e Tomorrit që festojnë festën e Abaz Aliut. Përmes një mesazhi Ruçi theksoi se atdheu, toleranca dhe edukimi janë kryevlerat e trashëgimisë së bektashinjve.
“U dërgoj përshëndetjet e mia të përzemërta besimtarëve bektashinj që janë ngjitur këto ditë në Malin e Shenjtë të Tomorit. Mali i Tomorit është froni që ka bashkuar, bashkon e do të bashkojë bektashinjtë shqiptarë, në dashurinë, përkushtimin dhe sakrificat për njeri-tjetrin, për besimtarët e besimeve të tjera dhe Shqipërinë.
Pelegrinazhi i sivjetëm zhvillohet në kushtet e kufizimeve dhe mundimeve që na ka imponuar pandemia. Lutem e uroj që pelegrinazhin e vitit të ardhshëm dhe festat e tjera t’i kremtojmë pasi të kemi lënë pas sakrificat e shksktuara prej saj. Pelegrinazhi juaj nuk është thjesht një ritual dhe përkushtim fetar, por një koncert besimi dhe optimizmi, në kërkim të lumturisë e të harmonisë, që i bën njerëzit më të mirë, në një Shqipëri të begatë dhë në një botë paqësore.
Pelegrinazhi juaj na rikujton se Atdheu, Toleranca dhe Edukimi janë kryevlerat e trashëgimisë së bektashijve. Le të mësojmë të gjithë nga kjo pasuri fetare, shpirtërore, kulturore e kombëtare”, shkruan në mesazhin e tij drejtuar pelegrinëve në Malin e Tomorit, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.