Rudina Hajdari shpërthen në parlament: Pazarxhinjtë e politikës së vjetruar orkestruan krizën e radhës

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari ka kritikuar politikanët duke u shprehur se ndërsa vendi është pranë hapjes së negociatave ata po e bllokojnë atë.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Hajdari u shpreh se kjo po bëhet qëllimisht për të mbrojtur interestat e tyre personale.

Rudina Hajdari: “Në momentin që hapja e negociatave është më pranë se kurrë. Pazarxhinjtë e politikës sonë të vjetruar me një dashakeqësi të qëllimshme, të kalkuluar me kujdes, orkestrojnë krizën e radhës duke na turpëruar para parterëve tanë ndërkombëtarë. Përsëri këta bashkarisht luajnë ping pong me fatin e vendit tonë, me të ardhmen e shqiptarëve, vetëm e vetëm që të pengojnë fillimin e bisedimeve, që të mbrojnë interesat e tyre persona, për të prishur të ardhmen e të rinjve tanë që duan të ndihen të barabartë me bashkëmoshatarët e BE.”

Deputetja u bëri thirrje të rinjve të bëhen bashkë për të ndëshkuar korrupsionin politik dhe njerëzit që mbajnë peng integrimin e vendit në BE.

Ndërsa theksoi se politika shqiptare i ka tejkaluar përmasat e një krimi kombëtar.

Rudina Hajdari: “Nëse duam të kuptojmë se çfarë duhet të rrijë integrimi europian, ne thjesht duhet ti drejtohemi këtyre të rinjve dhe të kuptojmë se çfarë do rinia shqiptare sot. Ata duan punësim, dinjitet, shpresë dhe mundësi për të ardhmen, lëvizje të lirë e mirëqenie por kjo nuk po ndodh, nuk mund të ndodhë nëse ne nuk bëhemi bashkë për të ndëshkuar pikërisht krimin politik që ndodh sot, korrupsionin politik, për të ndëshkuar këta njerëz që e mbajnë peng integrimin europian që ka kapur çdo hallkë të shoqërisë sonë, ekonomisë sonë. Duhet të kërkojmë padyshim largimin e tyre dhe ti hapim rrugës vetes sonë. Çfarë po bën sot politika shqiptare i tejkalon përmasat e një krimi kombëtar. Në vend që të bëhej bashkë në momentet më kritike të vendit, ata janë bllokuesit kryesore të afrimit me Evropën. Sepse e dinë shumë mirë se reformat prekin interesat e tyre personale, financiare, e dinë se reformat madhore si e drejtësisë dhe zgjedhore tronditin këto politikanë, këto makineri politike të ndryshkura, të kalbura që rëndon mbi kokat tuaja, kokat e shqiptarëve.”

 

SHKARKO APP