Rumunia 62-vjeçare e paralizuar, e harruar prej 3 vjetësh në spitalin e Durrësit

Besoi te dashuria në pleqëri, rumunia braktiset nga të dyja familjet. Ajo është e shtruar në spitalin e Durrësit dhe prej tri vitesh nuk e viziton asnjë i afërm. Silvi, aktualisht 62 vjeçe, me orgjinë nga Rumania, për t’u bërë bashkëshortja e Asllan Patriotit, pak vite më parë braktisi të shoqin gjerman, me të cilin kishin lindur edhe katër fëmijë.

Rreth një dekadë më parë, në rrethana të paqarta, Silvi braktisi vendlindjen e saj, për t’u shpërngulur me bashkëshortin e ri në Durrës, Asllan Patriotin, personazh i njohur për publikun shqiptar, për shkak të përplasjeve me institucionet e shtetit, pasi i akuzonte se nuk po silleshin në mënyrë njerëzore me ish­të përndjekurit politikë. Një prej të cilëve është edhe vetë Patrioti, i cili aktualisht ndodhet në burg se akuzohet për veprën penale të “mashtrimit”. Silvi mësohet të ketë lënë në vendlindje edhe katër fëmijë kur vendosi të jetonte disa vite më parë me Asllan Patriotin. Ata u vendosën në lagjen 13 të qytetit të Durrësit, në një apartament në katin e dytë të një pallati shumëkatësh. Ajo shkëputi thuajse të gjitha kontaktet në vendin e saj, duke iu përkushtuar totalisht familjes së re në Durrës. Tri vite më parë, rumunia pësoi një trombozë dhe u paralizua në vend. Ajo u shtrua në spitalin rajonal të Durrësit, ku pak muaj më vonë iu pre edhe goja.

BRAKTISJA

Silvi nga Rumania është braktisur totalisht nga të afërmit e saj, të cilët prej dy vitesh nuk e vizitojnë. Ajo nuk ka asnjë të afërm në vendin tonë, përveç bashkëshortit Asllan Patrioti, i cili përpara se të binte në burg (rreth dy vite më parë) kujdesej për të. Patrioti e ka të pamundur të kujdeset, pasi ndodhet në burg. Bashkëshorti gjerman dhe fëmijët nuk kanë asnjë kontakt me të moshuarën. Në këto kushte, bluzat e bardha shpeshherë kanë bërë kërkesa të vazhdueshme në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ambasadës Rumunë dhe Gjermane, për ta larguar nga ambientet e spitalit, por sot ajo ndodhet akoma në pavijonin e ortopedisë. Stafi mjekësor kujdeset përditë për 62­vjeçaren rumune, por shtojnë se ajo nuk mund të jetojë aty deri në fund të jetës së saj. Bluzat e bardha thonë se ajo është e paralizuar dhe kërkon shërbim ekstra nga pacientet e tjerë, por që nuk po merr asnjë mjekim sepse nuk e ka të nevojshëm.

SËMUNDJA

Silvia Patriotit i ra trombozë pak ditë pasi Asllani tentoi të vetëdigjej, për të drejtat si ish­i burgosur politik. Bashkëshorti i saj tentonte shpesh të vetëdigjej, lajm i cili u trajtua gjerësisht në të gjitha mediat, fakt ky që rëndoi psikologjikisht rumunen. Të moshuarës i ra trombozë, e cila e la të paralizuar dhe pak kohë më vonë edhe pa gojë. Me kalimin e kohëve, e moshuara u përmirësua nga ana shëndetësore, por kërkon kujdes ekstra në stafi mjekësor, për shkak se ajo nuk lëviz dot nga shtrati. Institucioni ka bërë disa herë thirrje që dikush duhet ta marrë në patronazh rumunen, pasi spitali nuk e ka për detyrë ta mbajë në ambientet e tij, sepse 62­vjeçarja nuk po merr trajtim mjekësor. Me këtë paciente, infermieret kryejnë vetëm rolin e dados, ose e thënë ndryshe atë të kujdestarit/ Panorama

SHKARKO APP