Rusia kërkon spiunen, Timofeva nuk pranon të kthehet në atdhe
Dështon seanca për ekstradimin e 33-vjeçares ruse Svetlana Timofeva, e cila kërkohet nga shteti i saj për spiunazh. Avokatët e ruses munguan në seancë, e cila mund të jetë një taktikë e mbrojtjes e cila refuzon ekstradimin. Gjykata e Elbasanit do të vendosë pranimin ose jo të kërkesës së shtetit rus për ekstradimin e saj.
Në janar të këtij vitit Prokuroria e Elbasanit ka marrë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kërkesën zyrtare të autoriteteve gjyqësore të Federatës Ruse për ekstradimin nga Shqipëria në Rusi të shtetases ruse, e cila aktualisht ndodhet e paraburgosur në Shqipëri pas vendosjes së masës së sigurisë “Arrest me burg” nga Gjykata e Elbasanit me akuzën e marrjes së informacioneve sekrete.
Prokurori i çështjes ka kontaktuar me shtetasen ruse e cila ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin e saj në Rusi. Timofeva së bashku me një tjetër shtetas rus dhe një ukrainas në 20 gusht të vitit 2022 u arrestuan në Gramsh teksa kaluan perimetrin e sigurisë së uzinës së armëve në Çekin.
KOHA JONË SONDAZH

