Rusia letër “kërcënuese” BE-së dhe NATO-s, përmendet edhe Shqipëria
Në pikun e situatës që i përngjan një prag-lufte, ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov, trazon ujërat me tonet e ashpra të përdorura. Një letër e drejtuar kryediplomatëve të SHBA-së, Kanadasë dhe disa vendeve europiane, e cila ka mbërritur zyrtarisht edhe në Shqipëri përmes ambasadës ruse në Tiranë.
Lavrov i kujton qeverive të shënjestruara, detyrimet që kanë për të mos e forcuar sigurinë e tyre në kurriz të asaj të shteteve të tjera. Shefi i diplomacisë ruse nënvizon “parimin e sigurisë së pandashme” të përmendur në Kartën për Sigurinë Europiane, të nënshkruar në samitin e OSBE-së në Stamboll nëntorin e vitit 1999.
Ai i akuzoi vendet të cilave u drejtohet se po e interpretojnë atë marrëveshje si tu teket dhe po e përdorin për të promovuar agjendat e veta. “Vendet perëndimore vazhdojnë të përzgjedhin ato elementet që u vijnë për shtat, dhe pikërisht të drejtën e vendeve për të qenë të lirë të zgjedhin aleancat për të garantuar eksluzivisht sigurinë e tyre”, thuhet në letër.
Lavrov kërkon një përgjigje të qartë të pyetjes sesi vendet të cilave ajo u drejtohet e kuptojnë detyrimin e për të mos forcuar sigurinë e tyre në kurriz të sigurisë së shteteve të tjera bazuar në përkushtimin ndaj parimit të pandashmërisë së sigurisë? Si synon saktësisht qeveria juaj ta përmbushë këtë detyrim në praktikë në kushtet e sotme? Nëse hiqni dorë nga ky detyrim, ju lutemi shpreheni qartë, theksohet në letër.